Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova pret që të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian duke theksuar se kjo nuk është çështje favori, por merite.
Në hyrje të Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Kurti ka thënë se pret që aty të shkëmbehen ide e opinione për rrugën përpara.
“Sa i përket Kosovës, ne presim statusin e kandidatit për shtetin tonë. Është vonuar shumë. Në dhjetor do të bëhen 4 vjet qëkur kemi aplikuar për pranim në BE. Vetë e kam dorëzuar në Pragë gjatë presidencës çeke… jemi i vetmi shtet pa statusin e kandidatit. S’po kërkojmë shpërblime, privilegje ose favore. Po kërkojmë të njihet progresi i Kosovës sa i përket avancimit demokratik, rritjes ekonomike, luftës ndaj korrupsionit, sundimit të ligjit, të drejtat politike dhe liritë qytetare, dhe jemi ose në majë ose së dyti në Ballkanin Perëndimor kur bëhet fjalë për indekset e demokracisë”, ka thënë Kurti për gazetarët në hyrje.
Ai ka thënë se përderisa deri tash çështja e statusit të kandidatit ka qenë “gjithmonë shumë e rëndësishme, tash është çështje urgjence”.
Kurti ka shprehur pritje që në takimin e ardhshëm të Këshillit Evropian në dhjetor, t’i shtrohet pyetja Komisionit Evropian për opinion për kërkesën e Kosovës për pranim në BE.


