Kurti: Drafti i parë i Ligjit për Specialen dorëzohet javën e ardhshme nga grupi i ekspertëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në Kuvend për nismën ligjore lidhur me Dhomat e Specializuara, duke bërë të ditur se javën e ardhshme pritet të prezantohen draftet e para të strategjisë dhe të ligjit të ri për këtë gjykatë.

Kurti ka thënë se iniciativa për hartimin e ligjit erdhi pas pakënaqësisë me aktgjykimin, por ka theksuar se qëllimi i mirë nuk është i mjaftueshëm nëse ligji nuk arrin të zbatohet në praktikë.

“Nga pakënaqësia lidhur me aktgjykimin erdhi edhe shkrimi i shpejtë i atij ligji, për të cilin patëm shprehur rezervat tona. Nuk dyshoj në qëllimin e mirë, por nuk mjafton vetëm qëllimi i mirë, duhet të kemi edhe sukses. Për këtë na duhet një ligj që nuk kthehet mbrapsht dhe bëhet praktik në realitet”, ka deklaruar ai.

Kryeministri ka bërë të ditur se grupi punues, ku janë të përfshirë përfaqësues të të gjitha palëve, pritet të prezantojë draftin e parë të strategjisë, ndërsa ekspertët do të dorëzojnë propozimin e tyre për ligjin e ri.

Duke folur për qëndrimin e tij ndaj Dhomave të Specializuara, Kurti ka thënë se ai ka mbetur i pandryshuar që nga viti 2015.

“Unë, si kryeministër, nuk kam ndryshuar qëndrim për Dhomat e Specializuara që nga pranvera e vitit 2015. Mendimi është i njëjtë, se kjo gjykatë është e pazakontë, aq sa edhe termi ‘sui generis’ për të është i ngushtë”, ka thënë Kurti.

Ai ka folur edhe për rrethanat që i paraprinë krijimit të kësaj gjykate, duke përmendur pretendimet e ngritura në vitin 2008 në Këshillin e Evropës për të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” dhe trafikimin e organeve.

Sipas tij, këto pretendime nuk u vërtetuan nga hulumtimet e zhvilluara, ndërsa ka thënë se çështja që mbetet të trajtohet në procedurën e Apelit është ajo e ndërmarrjes së përbashkët kriminale.

Kurti ka shprehur bindjen se vendimi i 16 shtatorit do të korrigjohet në shkallën e dytë të gjykimit, duke e përmendur vitin 2027 si periudhën kur pret të ndodhë kjo.
“Jemi të bindur se korrigjimi i aktgjykimit duhet të ndodhë, do të ndodhë në shkallën e dytë, në Apel, e kjo do të jetë diku në vitin 2027”, ka deklaruar Kurti.