Shefja e Politikës së Jashtme e Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, ka deklaruar se për mbajtjen e një takimi të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, duhet të pritet fillimisht formimi i Qeverisë së re në Beograd, raporton Anadolu.
Në një konferencë për media nga Komisioni Evropian, Kallas tha se pati marrë zotime nga liderët e të dyja vendeve për t’u ulur në një takim të përbashkët trepalësh, por se mungesa e institucioneve funksionale në Kosovë gjatë vitit të fundit dhe zgjedhjet e fundit në Serbi kanë penguar realizimin e tij.
Kallas gjithashtu theksoi se situata politike në Kosovë, ku për një vit nuk ka pasur qeveri funksionale dhe institucione të konsoliduara, e ka penguar organizimin e këtij takimi.
Sa i përket Serbisë, Kallas tha se pas zgjedhjeve duhet të pritet formimi i Qeverisë së re, para se të vazhdohet me përpjekjet për takimin e përbashkët, meqë lideri i deritanishëm Aleksandar Vuçiq pësoi disfatë.
Ajo ka siguruar se mbetet e gatshme të angazhohet me të dyja palët për ta çuar përpara procesin e dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e BE-së.
“Ju siguroj se jam e gatshme të angazhohem dhe do të angazhohem me ta, ashtu siç kam bërë deri më tani me autoritetet, në mënyrë që ta çojmë përpara këtë proces. Sepse është e nevojshme që të dyja palët të përparojnë në rrugën e integrimit evropian”, ka deklaruar Kallas.
– Kos: Amendamentet për Gjykatën Speciale rrezikojnë të minojnë përparimin e Kosovës në reforma
Ndërkaq, komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, tha se janë në dialog me Qeverinë e Kosovës sa i përket amendamenteve për Ligjin për Gjykatën Speciale.
Duke folur në të njëjtën konferencë të përbashkët për media me Kallas, Kos lidhur me përparimin e Kosovës në reforma tha se ky proces mund të minohet për shkak të këtyre amendamenteve.
“Tash me qeverinë e re, shpresoj që shteti ta ketë mundësinë të ecë para. Amendamentet në Ligjin për Specialen rrezikojnë ta minojnë çdo përparim, por tashmë jemi në dialog sa i përket këtyre amendamenteve me Qeverinë e Kosovës”, ka thënë ajo.
Ndryshimet e amendamenteve për Ligjin për Gjykatën Speciale në Kuvendin e Kosovës u shtruan pas vendimit dënues të ish-katërshes udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Inicuesit e këtyre ndryshimeve në Kuvendin e Kosovës thanë se ato synojnë kufizim të kompetencave dhe mandatit të saj.
,Duke folur për rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian, Kos theksoi se hapi i radhës është që 27 shtetet anëtare të pajtohen që t’i kërkojnë Komisionit Evropian të përgatisin opinionin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim.
“Jemi të gatshëm ta bëjmë këtë. Por për t’i bindur shtetet anëtare, Kosovës i duhen institucione të qëndrueshme, siç i ka tash dhe përparim në reforma dhe sa më i fortë përparimi në reforma edhe më i fuqishëm do të jetë rasti i Kosovë për të ecur përpara”, tha ajo.
Kosova aplikoi për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, ndërsa kërkesa e saj vazhdon të mbetet pa u shqyrtuar nga Këshilli i BE-së. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.


