Gjiganti kinez Tencent paralajmëron se kufizimet amerikane ndaj çipave mund të vonojnë modelin e ardhshëm të IA-së

Kufizimet e reja amerikane ndaj çipave të avancuar në qendrat e të dhënave jashtë vendit mund të vonojnë modelin e ardhshëm të inteligjencës artificiale (AI) të kompanisë kineze të teknologjisë Tencent, transmeton Anadolu.

Presidenti i kompanisë Tencent, Martin Lau, tha se kufizimet gjithashtu do të përshpejtojnë kalimin e Kinës drejt procesorëve të zhvilluar në vend.

“Kjo i kthen të gjithë në Kinë prapa. Me gjasë do të na duhet më shumë kohë për të sjellë versionin e ardhshëm në një periudhë afatshkurtër”, u tha Lau analistëve gjatë telekonferencës për rezultatet financiare të tremujorit të tretë të Tencent.

Rregullorja e re e Departamentit të Tregtisë së SHBA-së synon të mbyllë një boshllëk në kontrollet e mëparshme të eksportit, të cilat u mundësonin kompanive kineze të kishin qasje në fuqi të avancuar kompjuterike përmes qendrave të të dhënave jashtë vendit.

Kompanitë të cilave u ishte kufizuar importimi i çipave të avancuar Nvidia mund të merrnin me qira më parë kapacitete kompjuterike jashtë vendit për të trajnuar modelet e inteligjencës artificiale, ndërsa procesorët mbeteshin jashtë Kinës.

Tencent dhe konkurrenti i saj Alibaba ishin ndër kompanitë që përdornin këto objekte.

Sipas rregullores së re, furnizuesit duhet të marrin licencë nga SHBA-ja për të dërguar çipa dhe serverë të përfshirë në këtë rregullore drejt qendrave të të dhënave jashtë vendit, të cilat ofrojnë fuqi kompjuterike mbi një prag të caktuar për kompanitë me seli në Kinë ose në tregje të tjera të përcaktuara.

Departamenti i Tregtisë tha se kjo masë i afron kufizimet ndaj qasjes në distancë me ato që zbatohen për dërgesat fizike.

Lau tha se kufizimet do t’i nxisin zhvilluesit kinezë të inteligjencës artificiale të bashkëpunojnë më ngushtë me prodhuesit vendas të çipave.

Huawei ka udhëhequr përpjekjet e Kinës për të zhvilluar alternativa ndaj procesorëve Nvidia, në të cilët kompanitë kineze të teknologjisë janë mbështetur për trajnimin e modeleve të tyre të inteligjencës artificiale.

Kufizimet vijnë pak kohë pasi Tencent prezantoi Hy4, një model të inteligjencës artificiale të aftë për të interpretuar imazhe, për të cilin kompania tha se ofron përmirësime në ndjekjen e udhëzimeve dhe arsyetimin përmes dokumenteve të gjata.

Tencent prezantoi gjithashtu Hy4 Flash, një version të dytë të krijuar për të ulur kostot e përdorimit të modelit pas trajnimit të tij.

Kërkesa për fuqi kompjuterike po ndikon gjithashtu në biznesin e shërbimeve cloud të Tencent.

Kryetari dhe drejtori ekzekutiv, Ma Huateng, tha se të ardhurat nga shërbimet cloud u rritën më shpejt në tremujorin e tretë, pasi klientët përdorën aplikacionin e inteligjencës artificiale ËorkBuddy.

Ai tha se kompania kishte ndarë gjithashtu më shumë kapacitete kompjuterike për dhënien me qira të çipave dhe shërbimeve që u mundësojnë klientëve të ekzekutojnë modelet e inteligjencës artificiale.

Sipas të dhënave financiare të kompanisë, shpenzimet kapitale të Tencent u rritën me 225 për qind në baza vjetore, duke arritur në 65.1 miliardë juanë (9.76 miliardë dollarë) në tremujorin që përfundoi më 30 shtator.

Të ardhurat u rritën me 8 për qind, në 31.1 miliardë dollarë, ndërsa fitimi operativ i rregulluar ra me 6 për qind, në 10.2 miliardë dollarë.

Tencent tha se, po të përjashtoheshin produktet e saj të reja të inteligjencës artificiale, fitimi operativ i rregulluar do të ishte rritur me 8 për qind.