Iva Mihajllova pretendon se shërbimi sekret bullgar e ka kërcënuar

“Rehabilitimi im varet prej tyre”, i thotë Iva Mihajllova Stanisllav Canovit në njërën nga bisedat e regjistruara fshehurazi, të cilat jutjuberi bullgar i publikoi mbrëmë. Mihajllova, e cila po gjykohet në mungesë në Koçan për një aksident trafiku ku humbi jetën një person, rrëfen se Agjencia Shtetërore për Siguri Kombëtare e Bullgarisë (DANS) i kishte vendosur kusht. Për ta marrë rehabilitimin e specializuar, të cilin shteti ishte zotuar ta paguante, intervistën e parë duhej t’ia jepte Martin Karbovskit, ndonëse tashmë kishte rënë dakord për xhirim me Canovin, transmeton 360 Gradë.

Sipas Canovit, një ditë para xhirimit, Mihajllova i kishte konfirmuar se do të shkonte. Disa orë më vonë e kishte telefonuar dhe kishte kërkuar që të takoheshin menjëherë. Kur ishin takuar, i kishte thënë se duhej ta anulonin intervistën. Canovi thotë se në atë moment e kishte nxjerrë telefonin dhe kishte filluar të regjistronte.

Mihajllova i rrëfen se, kur kishte pyetur përse duhej të paraqitej fillimisht te Karbovski, nga shërbimi i kishin thënë se atij mund t’ia përcaktonin pyetjet që do t’ia bënte. Nëse paraprakisht regjistronte një intervistë me dikë tjetër, i kishin thënë se regjistrimi do të fshihej, ndërsa ajo do të mbetej pa rehabilitim dhe pa ndihmën për avokatë, pretendon Mihajllova.

Në një bisedë tjetër telefonike, Mihajllova i thotë Canovit se kishte kaluar disa ditë të vështira dhe se do t’i tregonte më shumë kur të takoheshin. Kur ai e pyet se çfarë kishte ndodhur, ajo përgjigjet: “Nuk mund të flas asgjë në telefon”. Atë që kishte përjetuar e përshkruan si “presion të rëndë psikologjik”.

Canovi e pyet edhe se si kishte arritur në Bullgari pasi në Maqedoni i ishin marrë të dyja pasaportat. “A të ndihmoi dikush nga shërbimet?”, e pyet ai. “Askush nga Bullgaria. Krejtësisht vetë”, përgjigjet Mihajllova. Shton se edhe më parë kishte kërkuar ndihmë nga shteti bullgar për t’u larguar nga Maqedonia, por se gjithmonë kishte marrë përgjigjen se kjo ishte e pamundur. Konkretisht, ajo përmend Ambasadën e Bullgarisë në Maqedoni dhe ambasadorin Zheljasko Radukov si jobashkëpunues.

Si shembull të afërsisë së Karbovskit me pushtetin, Canovi thekson se Ilijana Jotova kishte qenë e ftuar tek ai vetëm disa orë para raundit vendimtar të zgjedhjeve presidenciale, ndërsa Rumen Radevi pikërisht te Karbovski kishte realizuar paraqitjen e tij të vetme në internet para zgjedhjeve parlamentare.

Në bisedën me Canovin, Mihajllova pretendon se nga Agjencia për Siguri Kombëtare e Maqedonisë (ANB) i kishin thënë se do ta lejonin të kthehej në Bullgari nëse deklaronte se ishte maqedonase dhe nëse mediat dhe deputetët bullgarë ndalonin së ardhuri në seancat e saj gjyqësore. Siç thotë ajo, nuk ishte pajtuar me këtë.

Pas publikimit të videos, bashkëkryetari i “Bullgarisë Demokratike”, Ivajllo Mirçev, paralajmëroi se do të kërkonte hetim për veprimet e DANS-it dhe verifikim nëse në këtë rast ishin përfshirë politikanë nga partia në pushtet. Bozhidar Bozhanovi nga i njëjti koalicion kërkoi dorëheqjen e drejtorit të agjencisë, Pllamen Tonçev.

Mihajllova u largua për në Bullgari në tetor, ndonëse si masë kujdesi i ishin marrë si pasaporta maqedonase, ashtu edhe ajo bullgare. Në Gjykatën Themelore të Koçanit ajo akuzohet për aksidentin në rrugën ekspres Shtip–Koçan, ku humbi jetën 33-vjeçari Besim Durmishi nga Luboteni i Shkupit. Gjykata vendosi që ajo të gjykohej në mungesë, ndërsa në seancën e 9 nëntorit ia refuzoi kërkesën për të marrë pjesë përmes videolidhjes nga Bullgaria.