lImagjinoni të zgjoheni në një fshat piktoresk italian, të pini kafenë e mëngjesit me pamje nga malet ose deti dhe ndërkohë të mos paguani qira për plot dhjetë vite. Tingëllon si ëndërr? Në rajonin italian të Kalabrisë kjo po bëhet një mundësi reale.
Autoritetet italiane kanë nisur një projekt të pazakontë me anë të të cilit ofrojnë jetesë falas në shtëpi dhe apartamente, me qëllim që të tërheqin banorë të rinj në vendbanimet e vogla që prej vitesh përballen me shpërnguljen dhe uljen e numrit të popullsisë.
Në fazën e parë të programit „Ripopola Calabria“, i njohur edhe nën sloganin „Kalabria të dhuron një shtëpi“, në dispozicion janë 50 prona të patundshme në 26 komuna.
Shtëpi falas, por me një kusht të rëndësishëm
Për dallim nga ofertat e njohura italiane për blerjen e shtëpive të braktisura për një çmim simbolik prej një euroje, kësaj radhe të interesuarit nuk duhet as të blejnë pronën dhe as të paguajnë për rinovimin e saj.
Autoritetet rajonale do ta financojnë tërësisht rikonstruktimin, ndërsa kandidatët e përzgjedhur do të fitojnë mundësinë të jetojnë falas në shtëpitë ose apartamentet për një periudhë dhjetëvjeçare.
Megjithatë, pronat nuk do të bëhen pronësi e tyre. Ato do të jepen në shfrytëzim falas, me detyrimin që qiramarrësit e rinj ta regjistrojnë dhe ta mbajnë vendbanimin e tyre në Kalabri gjatë gjithë kësaj periudhe.
Pas skadimit të dhjetë viteve, ekziston mundësia të shqyrtohen zgjidhje shtesë për vazhdimin e qëndrimit ose blerjen e pronës, por kushtet konkrete ende duhen përcaktuar.
Për rikonstruktimin e një prone të patundshme mund të ndahen maksimumi 280.000 euro.
Shtëpi me pamje nga deti, malet dhe fshatrat piktoreskë italianë
Oferta përfshin prona të ndryshme, nga apartamente të vogla deri te shtëpi të gjera familjare.
Ndër to ka një apartament katërdhomësh prej 135 metrash katrorë në vendbanimin mesjetar Torre di Ruggiero, një shtëpi me kopsht dhe pamje nga malet në San Mango d’Aquino, si dhe një pronë prej 85 metrash katrorë në Cessaniti, jo larg plazheve të Detit Tirren.
Në dispozicion janë edhe shtëpi me pamje panoramike, apartamente në lagje tradicionale dhe objekte që do të rikonstruktohen plotësisht para se banorët të vendosen në to.
Megjithatë, banorët e rinj nuk do t’i marrin menjëherë çelësat. Rinovimi duhet të përfundojë para se të fillojë periudha dhjetëvjeçare e shfrytëzimit falas.
Kush mund të aplikojë?
Programi nuk u dedikohet vetëm italianëve. Të drejtë aplikimi kanë edhe shtetasit e vendeve të tjera të Bashkimit Evropian, si dhe shtetasit e vendeve të treta që posedojnë leje të rregullt qëndrimi në Itali.
Kandidatët duhet të jenë të moshës madhore, të kenë jetuar të paktën tre vite jashtë Kalabrisë dhe të zotohen se do të shpërngulen në këtë rajon për dhjetë vite.
Përparësi gjatë përzgjedhjes do të kenë çiftet e reja të martuara, familjet me fëmijë, prindërit e vetmuar, personat që punojnë në distancë (remote), të vetëpunësuarit dhe të kthyerit nga jashtë vendit.
Shtëpitë do të lejohet të përdoren ekskluzivisht për banim, dhe jo për qiradhënie turistike apo veprimtari afariste.


