Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, vlerëson se zgjedhjet nuk do të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm, duke argumentuar se situata politike në rajon ka ndikuar në kalkulimet e pushtetit në Maqedoninë e Veriut.
Në një deklaratë publike, Thaçi tha se ka ndryshuar vlerësimin e tij krahasuar me disa muaj më parë.
“Një ndryshim të vlerësimit e kam në krahasim me tre ose katër muaj më parë. Mendoj se zgjedhjet nuk do të mbahen në pranverë,” deklaroi ai.
“Arsyeja është se Qeveria e Maqedonisë dhe kryeministri, kur e panë humbjen e Vuçiqit dhe tani kur e shohin tendencën e Bashkësisë Ndërkombëtare, nëpërmjet studentëve, që t’i shkulin të gjitha rrënjët e politikës së Vuçiqit, kanë frikë të shkojnë në zgjedhje në pranverë,” u shpreh Thaçi.
Deklarata e liderit të PDSH-së vjen në një periudhë kur në skenën politike vazhdojnë spekulimet dhe debatet për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme, ndërsa institucionet ende nuk kanë bërë të ditur ndonjë vendim zyrtar për datën e tyre.


