Mbetjet organike nga industria ushqimore në Kosovë paraqesin potencial për prodhimin e biogazit dhe energjisë së ripërtëritshme, si dhe për uljen e kostove operative të bizneseve dhe ndotjes së mjedisit, raporotn Ekonomia Online.
Këto mundësi janë prezantuar në kuadër të edicionit të gjashtë të Food Sector Forum 2026, organizuar nga Shoqata e Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve të Kosovës (PePeKo), ku konsulenti i angazhuar nga GIZ Kosova, Kushtrim Zebica, ka prezantuar studimin për potencialin e prodhimit të biogazit nga mbetjet organike në sektorin e ushqimit.
Zebica ka thënë se rreth 35 deri në 40 për qind e mbetjeve në deponitë e Kosovës janë organike, ndërsa rreth 70 për qind e emetimeve të metanit nga mbeturinat vijnë nga deponitë.
Sipas tij, këto mbetje duhet të trajtohen si resurs që mund të shfrytëzohet për prodhimin e plehut dhe biogazit.
“Është e rëndësishme ta theksojmë, sepse rreth 35 deri në 40% e mbetjeve të cilat ekzistojnë në deponitë e Kosovës janë mbetje organike dhe, natyrisht, është një resurs i cili meriton një trajtim të veçantë për ta valorizuar në funksion të bizneseve. Rreth 70% e emetimeve të metanit nga mbeturinat, janë metan i deponive. Është e rëndësishme edhe për ekonominë qarkore, për arsye se mbeturinat organike mund të bëhen pleh dhe biogaz, dhe, natyrisht, mundemi të përfitojmë edhe energji të rinovueshme”, tha ai.
Ai ka theksuar se përpunimi i mbetjeve organike do të sillte përfitime në disa drejtime, duke filluar nga zvogëlimi i sasisë së mbeturinave që përfundojnë në deponi dhe ulja e emetimeve të metanit, deri te prodhimi i energjisë që mund të përdoret në proceset industriale.
“Benefiti i parë, kemi më pak mbeturina në deponi, sepse ajo duhet me u trajtu si resurs, jo vetëm ta largojmë nga fabrika dhe ta hedhim tek deponitë. Dhe neve jemi plotësisht të vetëdijshëm që deponitë nuk janë në nivelin e kënaqshëm të operimit të tyre, nuk kanë kategorizim dhe menaxhim të duhur të këtyre mbetjeve për t’i rivalorizuar prapë ose rikthyer në funksion të mbrojtjes së ekosistemit. Përfitimi i dytë është klima, për arsye se ulja e emetimeve të dëmshme të metanit e mbron përsëri ekosistemin. Elementi i tretë është energjia. Kemi përsëri energji të rinovueshme. Ajo energji e cila mund të shndërrohet në biogaz ose metan, mund të përdoret në procesin e prodhimit ose prodhimit të energjisë, qoftë për ngrohje termike në proces prodhimi, qoftë për edhe energji tjetër, dhe mund ta ulë koston operative të bizneseve. Sektori privat ka më shumë pavarësi energjike dhe, sigurisht, që ka edhe koston më të ulët të operimit”, tha ai.
Në kuadër të forumit, Blerim Murtezi, udhëheqës i Programit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) për Kosovë, ka prezantuar temën për përmirësimin e produktivitetit, kushteve të punës dhe konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve.
Murtezi ka shpjeguar se programi bazohet në modelin e prodhimit të Toyota-s dhe synon përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet menaxherëve dhe punëtorëve, rritjen e cilësisë e produktivitetit dhe përmirësimin e sigurisë në vendin e punës.
“Bazohet në prodhimin e ekosistemit të prodhimit të Toyota-s. Është një program i organizatës ndërkombëtare të punës si organizatë e specializuar teknike e kombeve të Bashkuara, që kthehen ato histori, kërkon të forcojë bashkëpunimin dhe komunikimin mes menaxherëve dhe punëtorëve për të përmirësu cilësinë dhe produktivitetin, dhe për të përmirësu kushtet e punës. Këto janë disa prej statistikave që intervenimi nuk janë mesatare, janë statistika më të larta që kanë kontribuar, për shembull, në rritjen e 50% në produktivitet, në minusim deri në 64% të produkteve me defekte, në minus 48% në menaxhimin e mbetjeve. Te kushtet e punës, deri në 29% zvogëlim të aksidenteve në punë, apo edhe deri në 22% zvogëlim të mungesave të punëtorëve në punë. Si funksionon, janë 4 shtylla, prapë për juve që po ndiqni Toyota, besoj mundeni me ditë. Është bashkëpunimi, janë teknikat e thella të cilësisë, produktiviteti, njerëzit dhe siguria dhe shëndeti në punë. Për secilën teknikë ekzistojnë”, tha ai.
Murtezi ka bërë të ditur se aktualisht në program janë përfshirë tetë kompani me më shumë se 25 punëtorë, prej të cilave katër janë nga sektori i përpunimit të ushqimit.
Ai ka paralajmëruar se vitin e ardhshëm synohet përfshirja e edhe 12 kompanive të tjera.
“Në Kosovë për momentin ne jemi duke punuar në institucionin e përpunimit të ushqimit, sepse ka potencial të jashtëzakonshëm për eksport, për konsumeshmëri. Dhe disa prej gjetjeve që kemi identifikuar, raporti është online, mund ta lexoni. Është organizimi më i mirë i punës manuale dhe sezonale, sidomos për punët sezonale. Aftësinë në cilësi mirëmbajtje dhe në siguri ushqimore. Për momentin kemi 8 kompani me mbi 25 punëtorë që janë duke marrë pjesë në program, duke përfshirë 4 nga sektori i përpunimit të ushqimit. Ne synojmë që vitin e ardhshëm të kemi edhe 12 kompani që do të, do të ulim numrin, kriterin që ka qenë mbi 25 punëtorë, do ta bëjmë mbi 10 punëtorë, që deri në fund të vitit të ardhshëm, shpresoj për herë të parë në këtë intervenim global, të kemi edhe rezultate të shfaqen për Kosovën”, tha ai.
Në përfundim të forumit janë organizuar edhe takime B2B ndërmjet bizneseve pjesëmarrëse, me synim krijimin e kontakteve dhe mundësive të reja për bashkëpunim.




