Haxhiu: Mirënjohje e përjetshme për familjen Jashari

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe dhe nderime te varri i komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij, në Prekaz, në Ditën e Flamurit, më 28 Nëntor.

Haxhiu, ka theksuar rëndësinë historike të kësaj date, duke kujtuar se 28 Nëntori shënon edhe ditëlindjen e komandantit Adem Jashari.

“Jemi sot këtu edhe sepse sot, më 28 Nëntor, është ditëlindja e komandantit Adem Jashari, por edhe sepse këtu, në këtë vend, në Prekaz, flamuri kombëtar asnjëherë nuk u ul. As atëherë kur i rrënuan kullat e Jasharajve. Flamuri kombëtar me shqiponjën dykrenare u ngrit nga Skënderbeu edhe në Krujë, më 1443. Nën atë flamur dhe nën udhëheqjen e Ismail Qemalit, më 1912, u shpall pavarësia e Shqipërisë dhe më 28 Nëntor të vitit 1997, Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli për herë të parë publikisht para popullit të Kosovës. Dhe pikërisht asokohe u bë edhe Nëntori ynë i tretë”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka vlerësuar lart sakrificën e familjes Jashari dhe kontributin e saj në rrugën drejt lirisë së Kosovës.