Një anije cisternë është goditur nga një raketë me origjinë të panjohur në lindje të Gjirit Persik, duke shkaktuar plagosjen e disa anëtarëve të ekuipazhit. Lajmi është bërë i ditur nga Organizata e Operacioneve Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO), e cila njoftoi se kishte marrë një raport për incidentin, ndërsa tankeri po lundronte në zonën lindore të Gjirit Persik.
Sipas autoritetit detar britanik, disa prej anëtarëve të ekuipazhit kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në breg për të marrë trajtim mjekësor.
“Ka pasur disa të plagosur, të cilët janë nxjerrë në breg për trajtim mjekësor”, bëri të ditur UKMTO, duke shtuar se pjesa tjetër e ekuipazhit është e sigurt dhe është identifikuar.
Deri më tani nuk dihet se nga është lëshuar raketa dhe kush qëndron pas sulmit. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të tjera mbi rrethanat e incidentit.


