Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Faton Ahmeti, ka shprehur mirënjohje dhe vlerësim për ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, me rastin e përfundimit të misionit të tij diplomatik në Shkup, shkruan Top24
Përmes një postimi në profilin e tij Faton Ahmeti e ka cilësuar Meidanin si një mik të veçantë dhe një zë të fuqishëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Ai ka vlerësuar kontributin, përkushtimin dhe afërsinë e ambasadorit me qytetarët, duke theksuar se gjatë qëndrimit të tij në Shkup, Meidani arriti të ndërtojë ura komunikimi dhe miqësie që tejkalojnë kufijtë e diplomacisë zyrtare.
Në mesazhin e tij, Ahmeti ka theksuar se përtej detyrës dhe mandatit diplomatik, ajo që mbetet është kontributi dhe respekti i fituar në mesin e njerëzve.
Me rastin e përfundimit të misionit të ambasadorit në Shkup, nënkryetari i BDI-së i ka shprehur mirënjohjen për angazhimin dhe miqësinë e krijuar, duke i uruar suksese në rrugëtimin e tij të ardhshëm.
“Misionet kanë fund, por respekti dhe miqësitë e vërteta vazhdojnë”, ka shkruar Faton Ahmeti në mesazhin e tij për ambasadorin Denion Meidani.


