Ekonomia e Maqedonisë së Veriut shënon rezultate pozitive në shkëmbimin tregtar me jashtë. Sipas të dhënave paraprake për periudhën janar–shtator 2026, eksporti i mallrave ka shënuar rritje prej 10,83%, ndërsa importi është rritur me 7,94%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Vlera e përgjithshme e eksportit gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026 ka arritur në 408,2 miliardë denarë, duke reflektuar një rritje të konsiderueshme të aktivitetit eksportues dhe një ecuri pozitive të kompanive që operojnë në tregjet ndërkombëtare.
Në të njëjtën periudhë, vlera e importeve ka arritur në 566,1 miliardë denarë, me rritje prej 7,94% në krahasim me periudhën janar–shtator të vitit paraprak.
Këto rezultate vijnë në një periudhë kur Ministria e Ekonomisë dhe Punës, e udhëhequr nga ministri Besar Durmishi, ka në fokus përmirësimin e kushteve për zhvillimin e biznesit, fuqizimin e sektorit privat, rritjen e konkurrueshmërisë dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim ekonomik.
Veçanërisht domethënës është fakti se eksportet kanë shënuar një normë më të lartë rritjeje sesa importet, një tregues pozitiv për dinamikën e tregtisë së jashtme të vendit.
Sipas strukturës së shkëmbimit tregtar, ndër produktet kryesore të eksportuara janë katalizatorët me metale të çmuara, grupet e kabllove elektrike për industrinë automobilistike, pjesët e ulëseve dhe katalizatorët e tjerë mbajtës.
Ndërkaq, në strukturën e importeve dominojnë derivatet e naftës, platini dhe lidhjet e tij, metalet e tjera të grupit të platinit, si dhe automjetet motorike për transportin e udhëtarëve.
Gjermania, Britania e Madhe, Kina dhe Greqia mbeten partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Maqedonisë së Veriut. Këto pesë vende përbëjnë 49,7% të vëllimit të përgjithshëm të shkëmbimit tregtar.
Një rol të veçantë vazhdon të ketë edhe Bashkimi Evropian, vendet anëtare të të cilit marrin pjesë me 58,8% në shkëmbimin e përgjithshëm tregtar të vendit.
Rritja e eksporteve prej 10,83% paraqet një sinjal inkurajues për ekonominë vendore dhe për potencialin e kompanive për të konkurruar në tregjet e huaja.
Rezultatet e nëntë muajve të parë të vitit 2026 theksojnë rëndësinë e vazhdimit të politikave ekonomike që synojnë mbështetjen e prodhimit vendor, nxitjen e investimeve, zhvillimin e ndërmarrjeve dhe forcimin e pozitës së ekonomisë së Maqedonisë së Veriut në tregjet ndërkombëtare.


