Drejtori i Drejtorisë së Doganave, Boban Nikollovski, dhe kryetari i Gjykatës Supreme, Afrim Fidani, sot nënshkruan një Marrëveshje për shkëmbimin elektronik të të dhënave.
Marrëveshja është e një rëndësie thelbësore, pasi përmes saj Drejtorisë së Doganave i mundësohet qasja elektronike në evidencën penale dhe kriminale për personat fizikë dhe juridikë, si dhe në të dhënat për ndalesat e shqiptuara për ushtrimin e veprimtarisë dhe heqjen e aftësisë juridike për të vepruar, të cilat gjenden në sistemin gjyqësor të vendit.
„Nënshkrimi i marrëveshjes së sotme është i rëndësishëm në dy aspekte. Së pari, qasja e shpejtë në të gjithë evidencën penale dhe kriminale në sistemin gjyqësor do të kontribuojë në përmirësimin e vlerësimeve të rrezikut gjatë veprimeve operative dhe hetimore, si dhe në ndërmarrjen e masave parandaluese në kohë. Nuk do të ketë më, si deri më tani, kërkesa në formë shkresore për verifikimin e evidencës në gjykata. Tashmë kjo mundësohet në kohë reale.
Së dyti, me këtë Marrëveshje mundësojmë përshpejtimin e procedurave për marrjen e autorizimeve doganore, duke dëshmuar se vazhdimisht angazhohemi për lehtësimin e tregtisë dhe reduktimin e burokracisë.
Përveç kësaj, qasja në evidencën e plotë të sistemit gjyqësor ofron garanci të forta se privilegjet dhe autorizimet doganore për pjesëmarrje në tregti mund t’u jepen ekskluzivisht operatorëve ekonomikë me integritet të verifikuar afarist dhe juridik“, deklaroi Nikollovski.






