Forca e Sigurisë së Kosovës do të organizojë më 27 nëntor aktivitetin tradicional “Dita e Forcës”, me ç’rast qytetarët do të kenë mundësi të vizitojnë nga afër kazermat dhe të njihen me kapacitetet ushtarake të vendit.
Sipas njoftimit të FSK-së, aktiviteti do të mbahet nga ora 10:00 deri në 13:30 dhe do të jetë i hapur për të gjithë të interesuarit, transmeton Klankosova.tv.
Bëhet e ditur se gjatë vizitës, qytetarët do të kenë mundësi të shohin nga afër pajisjet ushtarake, kapacitetet dhe personelin e FSK-së.
Dyert për vizitorët do të hapen në kazermat e FSK-së në Ferizaj, Gjakovë, Gjilan, Istog, Mitrovicë, Pomozotin, Prishtinë dhe Prizren.
Ndërkaq, në kazermën “Adem Jashari” do të jenë të pranishëm edhe udhëheqësit e lartë shtetërorë.


