Presidentja, Gordana Siljanovska-Davkova, në cilësinë e komandantes supreme të Forcave të Armatosura të Maqedonisë së Veriut, u takua me gjeneralin Aleksus Grinkeviç, komandant suprem i forcave aleate të NATO-s në Evropë. Në takim, sipas njoftimit të presidencës, ajo rikonfirmoi përkushtimin e vendit ndaj mbrojtjes kolektive dhe theksoi se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është i lidhur drejtpërdrejt me sigurinë euroatlantike.
Siljanovska-Davkova ka paralajmëruar për rreziqet nga kërcënimet hibride dhe dezinformatat, duke nënvizuar rëndësinë e pranisë së vazhdueshme të KFOR-it në Kosovë.
Ajo veçoi edhe rëndësinë strategjike të Korridoreve 8 dhe 10 për misionet e NATO-s, si dhe nevojën për modernizimin e kapaciteteve ushtarake dhe bashkëpunimin me aleatët. Në fund, presidentja riafirmoi mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, si dhe gatishmërinë e vendit për të mbetur një aleat i besueshëm në kuadër të NATO-s.


