Digjitalizimi i sektorit energjetik sjell efikasitet më të madh dhe shërbime më të mira, por në të njëjtën kohë hap rreziqe të reja të sulmeve kibernetike, të cilat mund të kërcënojnë furnizimin me energji elektrike dhe funksionimin e infrastrukturës kritike. Forcimi i kapaciteteve kombëtare të sigurisë kibernetike dhe përgatitja për kërcënime të tilla janë fokusi i projektit “Siguria kibernetike për një të ardhme digjitale të qëndrueshme” i mbështetur nga Programi i zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Republika e Sllovakisë.
UNDP thekson se kërcënimet kibernetike po bëhen gjithnjë e më të zakonshme dhe pasojat e sulmeve ndaj sistemeve kritike mund të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve.
“Ndërsa po vija këtu, dëgjova lajmin se infrastruktura ukrainase e njoftimeve të emergjencës ishte hakuar dhe qytetarët filluan të merrnin mesazhe rreth kërcënimeve bërthamore. Mund ta imagjinoni ndikimin që mesazhe të tilla mund të kenë tek popullsia. Ky është vetëm një nga shumë shembujt. Duket se të udhëhequr nga qëllime të mira kemi krijuar diçka që nuk dimë më si ta kontrollojmë plotësisht”, tha Ana Çernishova, zëvendëspërfaqësuese e përhershme e UNDP-së në Maqedoninë e Veriut në aktivitetin e sotëm “Siguria kibernetike në sektorin energjetik: Nga Vlerësimi te rezistenca – udhërrëfyesi për CSIRT të energjisë”, të organizuar nga UNDP.

Siguria kibernetike është pjesë e pandashme e sigurisë energjetike dhe ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e furnizimit, stabilitetin e sistemit dhe sigurinë kombëtare. Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet përkatëse, po punon për të krijuar zgjidhje sistemike për mbrojtjen e infrastrukturës kritike energjetike dhe për reagim në kohë ndaj kërcënimeve kibernetike, theksoi nga ana tjetër, ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska.
Ajo shtoi se digjitalizimi sjell përfitime të rëndësishme për menaxhimin e rrjeteve energjetike, shfrytëzimin e burimeve dhe integrimin e burimeve të ripërtëritshme, por njëkohësisht rrit nevojën për mbrojtjen e sistemeve nga sulmet kibernetike, të cilat mund të shkaktojnë pasoja serioze për qytetarët dhe ekonominë.
“Pas çdo familjeje që ka energji elektrike, çdo kompanie që punon dhe çdo shërbimi publik që funksionon pa pengesa, qëndron një sistem, sigurinë e të cilit duhet ta përmirësojmë vazhdimisht. Prandaj, siguria kibernetike në sektorin energjetik është çështje që prek drejtpërdrejt qytetarët, ekonominë dhe sigurinë kombëtare”, theksoi Bozhinovska.

Si rezultat konkret i bashkëpunimit me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Sllovakisë, ministrja përmendi hartimin e metodologjisë për krijimin e një CSIRT-i sektorial energjetik- një ekip i specializuar për reagimin ndaj incidenteve të sigurisë kompjuterike. Zbatimi i saj pritet të sigurojë procedura më të qarta, kanale të përcaktuara komunikimi dhe reagim më të shpejtë ndaj kërcënimeve të sigurisë.
Në aktivitet u prezantua edhe Vlerësimi gjithëpërfshirës i sigurisë kibernetike në Sektorin energjetik, i përgatitur përmes konsultimeve me institucionet dhe subjektet energjetike. Dokumenti identifikon gjendjen dhe nevojat e sektorit, si dhe përmban rekomandime, udhëzime dhe hapa me përparësi për forcimin e mbrojtjes.
“Sa më shumë ndërlidhen sistemet tona, aq më shumë siguria e secilit subjekt ndikon në sigurinë e të gjithë sektorit. Prandaj na nevojiten besim ndërmjet institucioneve, procedura të qarta dhe ekipe të përgatitura profesionale”, theksoi Bozhinovska.


