Kasami uron Arkin Jahiji: Tu qëndroj besnik premtimeve parazgjedhore dhe të punojë për të gjithë qytetarët!

Pas fitores së Arkin Jahijit në zgjedhjet e parakohshme lokale në Komunën e Bërvenicës, ka ardhur edhe urimi nga bashkëkryetari i VLEN, Bilall Kasami. Përmes një postimi në Facenook, Kasami i ka uruar mandat të suksesshëm kryetarit të ri, duke theksuar se vullneti i qytetarëve duhet të respektohet, pavarësisht motiveve që kanë ndikuar në përcaktimin e tyre elektoral. “Kryetarit të ri të Komunës së Bërvenicës, Arkin Jahijit, i uroj mandat të suksesshëm dhe të mbarë. Ai duhet t’u qëndrojë besnik premtimeve parazgjedhore dhe të punojë për të gjithë qytetarët, pa dallim përkatësie partiake, feje apo etnie”, ka shkruar Kasami.

Në postimin e tij, bashkëkryetari i VLEN-it ka përcjellë edhe një mesazh për respektimin e verdiktit të votuesve, duke theksuar se qytetarët kanë gjithmonë të drejtë në zgjedhjen e tyre. “Qytetari ka gjithmonë të drejtë, pavarësisht motiveve me të cilat gjykojnë. Kjo duhet respektuar”, ka deklaruar ai.

Kasami ka theksuar gjithashtu se koalicioni qeverisës mbetet i gatshëm të mbështesë qytetarët e Bërvenicës në çështjet që janë në kompetencë të pushtetit qendror. “Si koalicion qeverisës, jemi pranë qytetarëve të Bërvenicës për të gjitha nevojat në kompetencë të Qeverisë. Vazhdojmë me punë për të gjithë qytetarët pa dallim!”, ka përfunduar Kasami.