Bekim Sali priti rektorin e Universitetit Trakya, nënshkruhet protokoll bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut dhe Ministër i Çështjeve Evropiane, Bekim Sali, ka pritur në Qeveri rektorin e Universitetit Trakya nga Edirne, prof. dr. Mustafa Hatipler, së bashku me një delegacion universitar prej 12 anëtarësh.

Sali theksoi se Universiteti Trakya, me mbi 50.000 studentë, është një institucion i rëndësishëm i arsimit të lartë në Turqi.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë, shkëmbimit akademik dhe shëndetësisë.

Me këtë rast, Sali mirëpriti nënshkrimin e Protokollit të Bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë, i cili, sipas tij, hap mundësi të reja për bashkëpunim institucional, shkëmbim të përvojave dhe avancim të kapaciteteve profesionale.

“Besoj se partneritete të tilla kontribuojnë në zhvillimin e institucioneve tona dhe krijojnë mundësi të reja për qytetarët dhe gjeneratat e reja”, shkroi Sali në një status.