Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, ka zhvilluar takim me delegacionin e Komisionit të Venecias, i cili po qëndron në Maqedoninë e Veriut në kuadër të përgatitjes së opinionit për ndryshimet e propozuara në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës.
Në takim, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të partnerëve të koalicionit nga VMRO-DPMNE dhe ZNAM, janë prezantuar qëndrimet dhe argumentet lidhur me ndryshimet e propozuara ligjore.
Qoku tha se gjatë diskutimit ka theksuar se shqiptarët nuk mund të vendosen në të njëjtën peshore me komunitetet e tjera dhe as të trajtohen si një pakicë e zakonshme në vend.
Ai argumentoi se formulimi kushtetues „mbi 20% e qytetarëve që flasin një gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja” i referohet shqiptarëve, ndërsa si argument tjetër përmendi ekzistencën e universiteteve shtetërore ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, përfshirë fakultetet juridike.
Sipas Qokut, nuk është e pranueshme që studentëve që kanë përfunduar studimet juridike në gjuhën shqipe t’u vihet në pikëpyetje e drejta për ta dhënë provimin e jurisprudencës në të njëjtën gjuhë.
„Një shqiptar mund të edukohet në gjuhën shqipe që nga kopshti, të përfundojë shkollimin fillor dhe të mesëm në shqip, të diplomojë në fakultetin juridik në shqip, madje të përfundojë edhe studimet master dhe doktoraturë në këtë gjuhë, por kur vjen momenti për ta dhënë provimin e jurisprudencës, papritur shqipja vihet në pikëpyetje!”, ka shkruar Qoku.
Ai gjithashtu theksoi se provimi i jurisprudencës duhet të jetë vazhdimësi e të drejtave që, sipas tij, u takojnë shqiptarëve, duke rikujtuar se edhe disa provime të tjera profesionale mund të jepen në gjuhën shqipe.
Në fund, Qoku tha se i ka kërkuar delegacionit të Komisionit të Venecias që gjatë përgatitjes së opinionit të marrë parasysh gjendjen juridike dhe faktike të raporteve ndëretnike në vend, në funksion të kohezionit social dhe stabilitetit politik.


