28 Nëntori festohet me aktivitete festive në shkollat fillore “Ismail Qemali” dhe “Liria” në Çair, Mexhiti uron të gjithë…

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, mori pjesë në aktivitetet festive të organizuara me rastin e 28 Nëntorit në dy shkolla fillore të komunës së Çairit , “Ismail Qemali” dhe “Liria”, ku kjo ditë u shënua përmes programeve kulturore dhe artistike të përgatitura nga nxënësit e të dyja shkollave veçmas, shkruan Top24

Në shkollën fillore “Ismail Qemali”, festa e 28 Nëntorit përkoi edhe me ditën e shkollës, duke i dhënë këtij organizimi një rëndësi të veçantë. Në këtë aktivitet, nxënësit, mësimdhënësit dhe drejtoria e shkollës kujtuan rëndësinë historike të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe figurën e Ismail Qemalit, emrin e të cilit e mban kjo shkollë në komunën e Çairit.

Mexhiti përgëzoi drejtoreshën Teuta Imeri, stafin arsimor dhe nxënësit për përkushtimin dhe organizimin, duke vlerësuar kontributin e tyre në ruajtjen dhe përcjelljen e kulturës, traditës dhe vlerave kombëtare shqiptare.

Aktivitetet festive vazhduan edhe në shkollën fillore “Liria”, ku nxënësit përmes këngëve, recitimeve dhe programit artistik sollën atmosferën e festës së Nëntorit. Në këtë shkollë, 28 Nëntori u shënua me emocione dhe mesazhe për historinë, lirinë dhe identitetin kombëtar.

Me këtë rast, kryetari Mexhiti përgëzoi drejtoreshën Teuta Idrizi, gjithë stafin e shkollës dhe nxënësit për programin e përgatitur, duke theksuar rëndësinë e edukimit të brezave të rinj me dashurinë për gjuhën, kulturën, historinë dhe flamurin kombëtar.

Pjesëmarrja në këto aktivitete ishte një mundësi për të vlerësuar angazhimin e shkollave në kultivimin e vlerave kombëtare dhe në përcjelljen e trashëgimisë shqiptare te gjeneratat e reja, të cilat përmes aktiviteteve të tilla mbajnë gjallë kujtesën historike dhe frymën e 28 Nëntorit, shkruan Top24