BE konfirmon dialogon me qeverinë e Kosovës lidhur me amendamentet e ligjit për Gjykatën Speciale

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka folur për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, gjatë një konference të zhvilluar pas prezantimit të raportit të BE’së për reformat dhe situatën në vendet e rajonit.

Kos, ka theksuar se, duhet të binden të 27 shtetet anëtare që t’i kërkohet Komisioni Evropian një opinion për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, gjë për të cilën, Kosovës i nevojiten institucione të qëndrueshme.

‘’Hapi i ardhshëm është që të gjitha 27 shtetet anëtare të bien dakord t’i kërkojnë Komisionit Evropian të përgatisë një opinion për aplikimin e Kosovës për anëtarësim. Ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë. Por, për t’i bindur shtetet anëtare, Kosovës i nevojiten institucione të qëndrueshme. Shpresojmë që tani do t’i kemi ato dhe se do të ketë përparim në reforma’’, ka deklaruar ajo.

Kos, po ashtu ka theksuar se BE’ja është në ‘’dialog’’ me qeverinë e Kosovës lidhur me ndryshimet e ligjit për Gjykatën Speciale.

‘’Sa më i fortë të jetë bilanci i Kosovës në zbatimin e reformave, aq më i fuqishëm do të jetë argumenti që vendi të ecë përpara në procesin e integrimit. Tani, me qeverinë e re, shpresoj që vendi të ketë mundësinë të ecë përpara. Megjithatë, ndryshimet në lidhje me Dhomat e Specializuara të Kosovës rrezikojnë të minojnë çdo përparim, por ne tashmë jemi në dialog me Qeverinë e Kosovës lidhur me këto amandamente’’, ka deklaruar ajo.