Studentët në protestë kanë njoftuar zhvillimin e protestës së radhës kombëtare ditën e shtunë, më 7 nëntor, në orën 14:00, përballë Ministrisë së Arsimit.
Përmes një deklarate, studentët bëjnë me dije se pas më shumë se 150 ditësh protestë të pandërprerë, kanë vendosur të ndryshojnë strategjinë e organizimit, duke zhvilluar protesta kombëtare dy herë në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë, në të njëjtën orë.
Ata theksojnë se kërkesa e tyre kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa akuzojnë pushtetin se ka injoruar deri më tani kërkesat e protestuesve.
Sipas deklaratës, ky vendim synon t’u japë studentëve dhe mbështetësve të tyre mundësinë për të ruajtur angazhimin dhe intensitetin e protestave.
Studentët bëjnë gjithashtu të ditur se do të vijojnë të mbështesin protestat e tjera qytetare kundër qeverisë, pavarësisht kohës kur ato organizohen.
“Lufta e shqiptarëve për demokraci vazhdon. Autokracia do të bjerë, ashtu siç ra edhe diktatura”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga grupimi “Studentët në protestë”.


