Edhe një herë, Mickoski na futi në kurth!
Na futi në kurth si shqiptarë për çështjen e Alta Bankës, duke e zhvendosur debatin te përplasja mes BDI-së dhe VLEN-it, ndërkohë që përgjegjësia institucionale për procesin e licencimit duhet kërkuar te Banka Popullore, ndërsa përgjegjësia politike te pushteti që drejton Mickoski.
E hodhi zjarrin mes shqiptarëve, duke i shtyrë BDI-në dhe VLEN-in të përplasen se kush e solli Alta Bankën, ndërkohë që kjo përplasje po shërben për të defokusuar opinionin nga problemet reale me të cilat përballet Maqedonia e Veriut.
Këtu edhe BDI është pak fajtore, që ra pre e kësaj loje politike, duke e faktorizuar VLEN-in pa asnjë arsye për një çështje ku ndikimi i tij real në vendimmarrje është inekzistent.
Sepse, fundja, edhe për të bërë dëm duhet të kesh fuqi, ndërsa VLEN-i, përtej vasalizmit politik ndaj VMRO-së, nuk ka dëshmuar se zotëron guqi në qeverisje.
Dhe, gjersa ne shqiptarët merremi me Alta Bankën, problemet reale mbeten në hije, ndërsa qytetarët komplet të pambrojtur.
– Shkollat përballen me probleme në pagesën e rrogave.
– Çmimi i naftës dhe kostoja e jetesës rëndojnë gjithnjë e më shumë mbi qytetarët.
– Vonesat në kthimin e TVSH-së ngrenë pikëpyetje për gjendjen e financave publike.
– Çmimet e produkteve ushqimore po e rëndojnë rëndë buxhetin familjar.
– Punësimet partiake dhe klienteliste në institucione vazhdojnë të jenë shqetësim serioz, ndërkohë që shqiptarët përballen me pengesa në përfaqësimin e drejtë.
• Projektet e paralajmëruara përmes të ashtuquajturës kredi hungareze përballen me vonesa dhe pikëpyetje për realizimin e tyre.
• Eurointegrime më larg se kurrë, ndërsa shteti nën kthetrat e botës sërbe.
Dhe shumë e shumë probleme të tjera, për të cilat pushteti duhet të japë përgjigje.
Por, në vend që të kërkojmë llogari nga Mickoski për qeverisjen, ne shqiptarët po merremi me njëri-tjetrin!
BDI-ja akuzon VLEN-in, VLEN-i akuzon BDI-në, ndërsa VMRO-ja qëndron në krye të pushtetit dhe përfiton politikisht nga kjo përplasje.
Në fund, ne në vend që të merremi se kush e solli Alta Bankën- për çka edhe Mickovski është.përgjegjës, duhet të merremi se kush po qeveris, kush po vendos dhe kush duhet të mbajë përgjegjësi për gjendjen në të cilën ndodhet shteti- para kolapsit.
Sepse, derisa shqiptarët grinden se kush është fajtor, ata që kanë pushtetin vazhdojnë të qeverisin pa u përballur me me asgjë që vërtet kanë rëndësi!


