Komandanti i Njësisë Speciale Antiterroriste (SAJ) të Serbisë, Igor Zhmiric, është arrestuar të martën me urdhër të Prokurorisë së Parë Themelore në Beograd, raporton mediumi serb Nova.rs.
Sipas informacioneve jozyrtare të këtij mediumi, Zhmiric është njëri nga pesë personat e arrestuar në kuadër të një aksioni të gjerë të inspektorëve të Sektorit të Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Përveç komandantit të SAJ-it, në pranga kanë përfunduar edhe katër ish-pjesëtarë dhe pjesëtarë aktualë të Njësisë për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve (JZO).
Ata dyshohen për përfshirje në ndërhyrjet policore të zhvilluara gjatë muajve korrik dhe gusht të vitit 2025, në bulevardin “Kralja Aleksandra”, pranë Fakultetit Juridik në Beograd.
Gjatë këtyre ndërhyrjeve, disa studentë u lënduan dhe u shoqëruan në polici. Në njërin nga rastet, zyrtarët policorë kishin hyrë edhe në ambientet e Fakultetit Juridik, veprim ky që ngriti shqetësime për cenimin e autonomisë universitare.
Ndaj Zhmiricit ishte ngritur kallëzim penal lidhur me dyshimet për pjesëmarrje në arrestimin dhe keqtrajtimin e studentëve dhe qytetarëve gjatë protestave të 14 gushtit të vitit të kaluar në Beograd.
Karrierën në strukturat e sigurisë, ai e kishte nisur në Njësinë për Operacione Speciale (JSO), për të vazhduar më pas në Xhandarmëri, Njësinë Kundër Terrorizmit dhe Njësinë për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve, ku kishte ushtruar edhe detyrën e zëvendëskomandantit.
Pas shkarkimit të Spasoje Vuleviqit dhe emërimit të tij në krye të SAJ-it, Zhmiric kishte marrë drejtimin e kësaj njësie speciale.
Sipas Nova.rs, arrestimet janë pjesë e hetimeve që lidhen me dyshimet për keqtrajtimin e studentëve dhe qytetarëve gjatë protestave në Serbi.


