Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, ka reaguar përmes një postimi lidhur me mesazhin e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, për rëndësinë e gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar.
Duke iu referuar deklaratës së Begajt, i cili në takimin me të rinjtë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut u shpreh se “Pa gjuhë shqipe nuk ka atdhe, nuk ka Shqipëri, nuk ka shqiptari!”, Ademi ka drejtuar kritika ndaj përfaqësuesve të koalicionit VLEN.
Në reagimin e tij, Ademi shtron pyetjen se pse ky mesazh duket se po i pengon disa përfaqësues të VLEN-it, duke vënë në pikëpyetje qëndrimin e tyre ndaj kërkesës për përdorimin e gjuhës shqipe dhe zbatimin e plotë të ligjit që e rregullon përdorimin e saj.
“Pse vallë? Çfarë i shqetëson në këtë mesazh?”, shkruan Ademi, duke theksuar se mbrojtja dhe avancimi i gjuhës shqipe duhet të jenë ndër detyrat kryesore të përfaqësuesve politikë shqiptarë.
Reagimi i deputetit të BDI-së vjen në një kohë kur çështja e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe vazhdon të jetë pjesë e debatit politik në vend.


