Alarm për energjinë në Kosovë, Qeveria propozon masa emergjente për dy muaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Ministria e Ekonomisë ka propozuar shpalljen e masave emergjente në sektorin e energjisë për një periudhë dy mujore, për shkak të zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare.

Duke folur në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se zhvillimet gjeopolitike gjatë këtij viti, veçanërisht konflikti në Iran, kanë shkaktuar tronditje në tregjet e gazit dhe energjisë elektrike në Evropë, me pasoja edhe për rajonin dhe Kosovën.

Sipas tij, situata në vend është edhe më sfiduese për shkak të kapaciteteve të kufizuara të prodhimit të energjisë elektrike.

Kurti bëri të ditur se masat e propozuara përfshijnë shfrytëzimin e kapaciteteve prodhuese të Hidrocentralit të Ujmanit, si dhe ndërmarrjen e hapave për kursimin e energjisë nga institucionet publike.
“Këto masa përfshijnë shfrytëzimin e kapaciteteve prodhuese të Hidrocentralit të Ujmanit, ndërmarrjen e masave për kursimin e energjisë nga institucionet publike, si dhe masa të tjera që mund të ndërmarrim sipas nevojës”, deklaroi Kurti.

Propozimi vjen në një kohë kur zhvillimet në tregjet ndërkombëtare po shtojnë pasigurinë për furnizimin dhe çmimet e energjisë, ndërsa mbetet të shihet se cilat masa konkrete do të hyjnë në fuqi gjatë periudhës së ardhshme.