Gjermania: BE-ja mbetet e përçarë për ndihmën ndaj Ukrainës dhe buxhetin afatgjatë

Bashkimi Evropian mbetet i përçarë lidhur me buxhetin afatgjatë dhe ndihmën e mëtejshme financiare për Ukrainën, deklaroi të hënën kancelari gjerman Friedrich Merz, ndërsa Komisioni Evropian pritet të paraqesë një propozim të ri këtë javë, transmeton Anadolu.

Duke folur në një konferencë për media në Munih, Merz tha se diskutimet përfshinë edhe buxhetin e propozuar të BE-së për periudhën 2028-2034.

Ai theksoi se synimi mbetet arritja e një marrëveshjeje për buxhetin afatgjatë deri në fund të vitit 2026, por pranoi se ende ka çështje të pazgjidhura.

Sipas tij, sfida kryesore është sigurimi i financimit për ndihmën e mëtejshme ndaj Ukrainës. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të paraqesë një propozim të ri të enjten.

– Samiti i vendeve mbështetëse të Ukrainës në Berlin
Merz njoftoi se të enjten do të organizojë një samit në Berlin me liderët e vendeve që mbështesin Ukrainën.

Në takim pritet të marrin pjesë personalisht afro 30 krerë shtetesh dhe qeverish, si dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Merz ka paralajmëruar më herët se një marrëveshje për buxhetin afatgjatë të BE-së varet nga sigurimi i një financimi të qëndrueshëm dhe të përbashkët për Ukrainën nga të gjitha 27 vendet anëtare.

Disa vende të BE-së, përfshirë Çekinë, Sllovakinë, Hungarinë dhe Bullgarinë, kanë shprehur rezerva për dhënien e kontributeve të mëtejshme financiare për Kievin.

Ndërkohë, Ukraina përballet me një mungesë të konsiderueshme financimi vitin e ardhshëm për mbulimin e nevojave buxhetore, për shkak të luftës së vazhdueshme me Rusinë. Komisioni Evropian pritet të paraqesë propozime për mënyrën se si BE-ja mund ta mbulojë këtë mungesë.