Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka pranuar Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut për vitin 2026, gjatë një takimi me ambasadorin e BE-së, Mihalis Rokas.
“ Në takim me ambasadorin e BE-së, z. Mihalis Rokas, pranova zyrtarisht Raportin e Progresit të Komisionit Europian për Maqedoninë e Veriut për vitin 2026.
Theksova që e konsiderojmë këtë raport si një pasqyrë objektive e arritjeve dhe sfidave tona, por mbi të gjitha si një udhërrëfyes për hapat e ardhshëm në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Vlerësoj pozitivisht faktin që ky raport evidenton përparim në funksionimin e Kuvendit, veçanërisht miratimin e Kodit Etik, Planit Strategjik 2027–2031, forcimin e mbikëqyrjes parlamentare dhe arritjen e konsensusit ndërpartiak për emërime të rëndësishme institucionale.
Me seriozitet të plotë i trajtojmë edhe vlerësimet kritike për mungesën e konsensusit politik në disa çështje dhe përdorimin e shtuar të procedurave të shkurtuara. Prandaj si Kryetar i Kuvendit, do të vazhdoj të angazhohem për një Kuvend që promovon dialogun, konsensusin dhe reformat europiane.
Përcaktimi ynë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian mbetet i palëkundur si interes strategjik dhe e ardhmja e shtetit tonë. Ky raport duhet të jetë nxitje për të ecur më shpejt, dhe për të dëshmuar se vendi ynë është i përkushtuar ndaj vlerave dhe standardeve europiane”, ka shkruar Afrim Gashi.


