Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Strugë ka reaguar ashpër ndaj situatës me furnizimin me ujë në qytet, duke akuzuar autoritetet komunale për mungesë transparence dhe reagim të vonuar, përcjell gazeta KOHA.
Sipas kësaj partie, qytetarët e Strugës prej 72 orësh po përballen me ujë të turbullt dhe të përzier me baltë, ndërsa institucionet kompetente nuk kanë ofruar informacione të mjaftueshme për sigurinë e tij.
Nga BDI-ja e Strugës thonë se Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizime” ka dalë me njoftim vetëm pas tri ditësh, megjithëse shqetësimet për cilësinë e ujit ishin ngritur më herët.
“72 orë pa ujë të pijshëm dhe vetëm sot Ndërmarrja Publike ‘Ujësjellësi dhe Kanalizime’ del me njoftim?! Qyteti i Strugës prej tri ditësh përballet me një situatë alarmante. Nga çezmat e qytetarëve del ujë i turbullt, i përzier me baltë”, thuhet në reagimin e BDI-së. Partia opozitare rikujton se për këtë problem kishte reaguar publikisht dy ditë më parë, por, sipas saj, nuk kishte pasur përgjigje në kohë nga Komuna e Strugës dhe institucionet përgjegjëse.
Në reagimin e saj, BDI-ja drejton kritika ndaj kryetarit të Komunës së Strugës, Mendi Qyra, duke kërkuar sqarime për mënyrën e menaxhimit të situatës dhe mbikëqyrjen e ndërmarrjes publike.
Madje, kjo parti ngre edhe dyshime për ndërhyrje të mundshme në publikimin e rezultateve të analizave të ujit.
“Sipas informacioneve që kërkojnë sqarim zyrtar, ekzistojnë pretendime se kryetari i Komunës ka ndikuar te drejtori i ndërmarrjes, Jovanco Meçkaroski, lidhur me publikimin e rezultateve të analizave të ujit. Nëse kjo është e vërtetë, kemi të bëjmë me një çështje jashtëzakonisht serioze që kërkon transparencë dhe hetim institucional”, thekson BDI-ja.
Nga BDI e Strugës kërkojnë që kryetari Qyra dhe drejtori Meçkaroski të publikojnë menjëherë të gjitha rezultatet e analizave të ujit, të sqarojnë se kur janë pranuar ato dhe përse nuk janë bërë publike më herët.
Gjithashtu, kërkohet informim i qartë nëse uji është i sigurt për konsum, ndërmarrja e masave urgjente për furnizimin e qytetarëve me ujë të sigurt dhe përcaktimi i përgjegjësisë për çdo vonesë eventuale institucionale.
“Kjo nuk është çështje politike, por çështje e shëndetit dhe sigurisë publike. Uji i pijshëm është e drejtë themelore, ndërsa informimi i qytetarëve është detyrim institucional”, theksohet në reagim.
Në fund, BDI-ja e Strugës porosit se qytetarët nuk mund të mbahen në pasiguri për një shërbim kaq jetik dhe se institucionet duhet të japin përgjigje të qarta për situatën e krijuar.
“Struga nuk mund të mbahet peng i heshtjes institucionale. Qytetarët kanë të drejtë të dinë të vërtetën dhe të kërkojnë përgjegjësi nga ata që janë të mandatuar për t’i shërbyer”, përfundon reagimi i BDI-së.


