Zv.ministri Sulejmani tha se nuk ka kërkesë, Komuna e Krushevës e demantoi, ka aplikuar që në vitin 2022 për shkollën në Alldançe

Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, ditë më parë në Kuvendin e Maqedonisë duke folur për gjendjen e shkollave në Nerovë dhe Alldançe të Krushevës, deklaroi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) nuk kishte pranuar kërkesë nga komuna për investime në këto shkolla. Megjithatë, Komuna e Krushevës e demantoi atë duke e siguruar për redaksinë e Portalbit kërkesën për rikonstruksionin e shkollës në Alldançe të dorëzuar në vitin 2022 për të cilën kishte hasur në vesh të shurdhur nga ministria.

I pyetur nga Portalb.mk se pse Sulejmani tha që nuk ka kërkesë kur ajo dukshëm është dërguar në MASH,ai  fajin ia hodhi qeverisjes së kaluar.

“Kërkesën që e ka bërë komuna, të cilën e përmendët ju, e ka bërë në vitin 2022, kur ka qenë një qeverisje tjetër dhe në atë kohë nuk kemi pasur mundësi për të intervenuar në realizimin e këtij projekti. Mirëpo, e përmenda edhe në përgjigjen ndaj pyetjes së deputetëve se interesi ynë është t’u dalim në ndihmë shkollave që padyshim janë në gjendje të tillë, siç edhe e kam përshkruar”, tha Sulejmani për Portalb.mk.

Ai shtoi se në buxhetin e vitit 2026 nuk janë paraparë mjete për këto investime dhe se mundësia për realizimin e tyre do të shqyrtohet për vitin e ardhshëm.

“Tash jemi në fund të këtij viti dhe në buxhetin e vitit 2026 është e vërtetë që nuk janë paraparë mjete. Ne do të tentojmë t’i përshpejtojmë procedurat, ta rregullojmë dokumentacionin dhe të shohim për vitin 2027, varësisht nga buxheti që do të kemi si ministri, si do t’i organizojmë mjetet dhe ku duhet të investohen ato për rikonstruksionin apo ndërtimin e shkollave fillore, siç është rasti konkret”, thotë Sulejmani.

Sulejmani paralajmëroi se do të takohet me kryetarin e Komunës së Krushevës dhe do t’i vizitojë shkollat për të parë nga afër kushtet në të cilat zhvillohet mësimi. Sipas tij, në takimdo të shqyrtohen dokumentacioni projektuespër secilin objekt dhe pengesat që duhet të tejkalohen për realizimin e investimeve.

Komuna përgatit kërkesa tjera

Nga Komuna e Krushevës sqaruan se kërkesën për rikonstruksionin e shkollës periferike në Alldançe e kishin dorëzuar në gusht të vitit 2022, në kuadër të thirrjes së MASH-it. Kërkesa ishte shoqëruar me arsyetimin për nevojën e rikonstruksionit dhe projektin bazë të rishikuar.

Sipas komunës, në dhjetor të po atij viti, ministria kishte kërkuar që aplikacioni të plotësohej me dy deklarata: për vërtetësinë e të dhënave të dorëzuara dhe për të konfirmuar se shkolla nuk ishte rikonstruktuar me mjete nga buxheti i shtetit gjatë pesë viteve paraprake.

Kërkesa e Komunës së Krushevës drejtuar MASH-it për shkollën në Alldançe.
Kërkesa e Komunës së Krushevës drejtuar MASH-it për shkollën në Alldançe.

“Për kërkesën e Komunës së Krushevës për rikonstruksionin e shkollës periferike në fshatin Alldançe, deri më tani nuk ka asnjë përgjigje nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës”, thanë për Portalb.mk nga komuna.

Përveç kësaj shkolle, komuna ka përgatitur projekte bazë për rikonstruksionin dhe përshtatjen e shkollave periferike në Sazhdevë dhe Presillë. Ajo planifikon që dokumentacionin teknik të rishikuar dhekërkesat e veçanta për secilën shkollë t’ia dorëzojë MASH-it në afatin më të shkurtër të mundshëm.

Komuna do të kërkojë që shkollat në Alldançe, Sazhdevë dhe Presillë të përfshihen në “Programin për ndërtimin dhe rikonstruksionin e shkollave fillore për vitin 2027/2028”, në mënyrë që të sigurohen mjete për realizimin e punimeve. Megjithatë, nga komuna nuk treguan se kur do t’i dorëzojnë dokumentet e reja në ministri.

Portalb.mk ka raportuar për kushtet e vështira në shkollat e fshatrave të Krushevës. Përveç shkollës në Alldançe, investime nevojiten edhe në shkollat në Nerovë, Presillë, Sazhdevë dhe Borinë.