Zgjedhjet në Bërvenicë e kanë shtyer dhe zgjedhjen e zëvendësministrave

Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski me sa duket do të presë të përfundojnë zgjedhjet lokale në Bërvenicë e pastaj të takohet me liderët e partive, partnerët qeveritarë: Izet Mexhitin dhe Bilall Kasamin nga VLEN-i dhe Maksim Dimitrievskin nga ZNAM-i, për tu dakorduar rreth rikonstruimit të eshalonit të dytë të Qeverisë, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse kryeministri e paralajmëroi rikonstruimin për më gjysmën e parë të tetorit, meqë rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Bërvenicës është caktuar për më datën 1 nëntor kjo do të thotë se zgjedhja e zëvendësministrave të rinj pritet të bëhet në gjysmën e parë të muajit të ardhshëm.

Nga Qeveria thonë se tani janë të fokusuar në zgjedhjet lokale në Bërvenicë dhe se propozimet për zëvendësministrat e rinj do t’i definojnë me kryeministrin muajin e ardhshëm.

Pas rikonstruimit të Qeverisë mbetën të zbrazta vendet e zëvendësministrave në Ministrinë e Politikës Sociale dhe atë të Kulturës, pasi zëvendësministrat Gjoko Vellkovski dhe Sedat Sulejmani u bënë ministra në ato resore.

Por, informacioni nga VLEN se tashmë janë dakorduar me Mickoskin për postin e zëvendësministrit në resorin e shëndetësisë paralajmëron se përveç plotësimit të vendeve vakante kryeministri gjatë rikonstruimit të eshalonit të dytë qeveritar planifikon edhe rokada të një pjese të resoreve me partnerët e Qeverisë.

Sipas burimeve në VLEN, krahas resorit të shëndetësisë, ata do të duhet të marrin edhe një zëvendësministër.

Fillimisht e synonin kolltukun në resorin e politikës sociale, por tani në lojë është edhe vendi i zëvendësministrit në Ministrinë e Bujqësisë ku ministër është Borçe Serafimovski nga ZNAM. VLEN do të duhet të heqë dorë nga dy pozita të zëvendësministrave, sepse, sipas informacioneve, partia do të mbetet me numër të njëjtë zëvendësish.

Nga ana tjetër edhe pse nga VLEN pretendojnë se atyre do t’u takojë posti i zëvendësministrit në shëndetësi, për këtë pozitë është e interesuar edhe ZNAM, nga ku menjëherë pas rikonstruimit të Qeverisë në muajin qershor deklaruan se me kryeministrin tashmë janë dakorduar se do të marrin edhe një zëvendësministër. Nga partia e Dimitrievskit e synojnë edhe resorin e politikës sociale, por ka gjasa të mëdha të kënaqen me një zëvendësministër në resorin e kulturës.

Fjalën e fundit do ta ketë kryeministri, i cili do të vendosë se cili nga resoret është më i rëndësishëm në mënyrë që VMRO-DPMNE të ketë kontroll. Mickoski para një muaji paralajmëroi se ndryshimin në eshalonin e dytë do ta përfundojë për rreth dy javë.

“Unë, pak a shumë, e di se çfarë, ku dhe si. Do të duhet të ulemi si koalicion dhe ta konfirmojmë këtë gjatë një deri në dy javëve të ardhshme“, tha atëkohë kryeministri.

Ndërsa Kasami javën e kaluar paralajmëroi se do të ulen me kryeministrin për të biseduar për plotësimin dhe zëvendësimin e posteve të zëvendësministrave, si dhe për emërimin e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve në institucionet ku ka nevojë për plotësim apo ndryshime të atyre pozitave.

“Besoj se gjatë javës së ardhshme do të mbahet takimi i ri me kryeministrin, njëherësh edhe kryetar i VMRO-DPMNE-së, si partner koalicioni, në të cilin do të flasim për këto tema, përkatësisht për zëvendësministrat, emërimin dhe zëvendësimin e tyre, por edhe për çështje të tjera, më konkretisht për drejtorët dhe zëvendësdrejtorët, aty ku duhet të plotësohen pozitat dhe ku duhet të bëhen ndryshime “, deklaroi atëkohë Kasami. Gjatë rikonstruimit të Qeverisë Mickoski ndërroi ose rotatoi gjithsej tetë ministra dhe dy zëvendësministra.

Kujtojmë se ditë më parë dha dorëheqje zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski.

Ndryshe, në korrik, Kuvendi i zgjodhi tetë ministrat e rinj si pjesë e riorganizimit të qeverisë të propozuar nga kryeministri Hristijan Mickoski.