Zëvendëspresidenti turk: Procesi “Turqia pa Terror” po përparon pozitivisht

Nisma e Ankarasë “Turqia pa Terror” po përparon pozitivisht pasi u bë një politikë shtetërore, tha sot zëvendëspresidenti turk Cevdet Yilmaz, transmeton Anadolu.

Duke folur në Panelin Editorial të Anadolu-s në Ankara, Yilmaz tha se nisma është bërë politikë shtetërore dhe se përpjekjet brenda këtij kuadri po ecnin përpara pozitivisht. “Kjo është bërë politikë shtetërore dhe me punën që po kryhet brenda këtij kuadri, procesi ‘Turqia pa Terror’ po ecën përpara në rrugën e tij dhe në një drejtim pozitiv”, tha ai.

Yilmaz tha se Turqia e sheh procesin si një “dritare të madhe mundësie”, duke theksuar se burimet e dedikuara për luftën kundër terrorizmit mund të drejtohen drejt zhvillimit të vendit dhe standardeve demokratike. “Ne do ta ridrejtojmë energjinë që kemi shpenzuar për luftën kundër terrorizmit drejt zhvillimit dhe përmirësimit të standardeve tona demokratike. Ne e shohim këtë si një dritare të madhe mundësie”, deklaroi ai.

Lidhur me çarmatimin e organizatës terroriste PKK, Yilmaz tha se ka pasur zhvillime pozitive në terren, por paralajmëroi se procese të tilla janë të vështira dhe kërkojnë durim. “Ka përparim pozitiv në terren, por këto janë procese të vështira. Ne duhet ta ndjekim procesin me durim dhe të ecim drejt qëllimit hap pas hapi”, tha ai.

Yilmaz theksoi se Turqia po e trajton çështjen përmes institucioneve të veta pa kërkuar ndërmjetësim nga jashtë. “Nëse arrin sukses të plotë, kjo do të jetë një histori suksesi që vendos një shembull për botën”, shtoi ai.