Vuçiç në panik nga humbja – ua ndalon hyrjen në seli disa mediave!

Televizioni serb N1 ka njoftuar se Partia Progresive Serbe (SNS) nuk do t’i lejojë gazetarët e N1, Nova S, Danas dhe Radar të ndjekin nga afër natën zgjedhore në ambientet e partisë, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me përfaqësimin e listës zgjedhore të Aleksandar Vuçiqit në programin e N1.

Sipas televizionit N1, redaksia kishte dërguar disa herë email në shtabin zgjedhor të SNS-së për t’u akredituar për mbulimin e natës zgjedhore. Megjithatë, Vladanka Maloviq, anëtare e kryesisë së partisë dhe përgjegjëse për informimin, u është përgjigjur se përfaqësuesit e këtyre mediave nuk do të lejohen në ambientet e partisë gjatë ditës së zgjedhjeve.Në përgjigjen e SNS-së thuhet se, duke qenë se grupi mediatik ku bëjnë pjesë këto redaksi ka vendosur se Aleksandar Vuçiqi nuk është i mirëpritur për të përfaqësuar listën “Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar” në programet e tyre, edhe prania e gazetarëve të këtyre mediave në selinë e partisë “nuk është opsion”.

Mosmarrëveshja nisi pasi N1 e ftoi SNS-në të prezantonte listën e saj zgjedhore në një emision të posaçëm. Shtabi zgjedhor i partisë njoftoi se të mërkurën listën “Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar” do ta përfaqësonte vetë Vuçiqi.

Redaksia e N1 refuzoi këtë propozim, duke argumentuar se Vuçiqi prej vitesh ka refuzuar të paraqitet në këtë televizion, ndërsa ka përdorur fyerje dhe akuza ndaj gazetarëve të tij, duke i quajtur, ndër të tjera, “llum”, “terroristë” dhe “mercenarë të huaj”.N1 bëri të ditur se SNS-së i është ofruar mundësia të dërgojë një përfaqësues tjetër për të prezantuar listën zgjedhore.

Redaksia theksoi se mbetet e gatshme për një intervistë me Vuçiqin pas zgjedhjeve të 25 tetorit, në një moment që e konsideron të përshtatshëm.Rreth një orë e gjysmë pas reagimit të N1, Vuçiqi dhe ushtruesja e detyrës së presidentes së shtetit, Ana Brnabiq, e kritikuan vendimin e televizionit, duke e cilësuar atë si “fashist”.

Ngjarja ka nxitur debat mbi marrëdhëniet mes pushtetit dhe mediave kritike në Serbi, në një kohë kur vendi po zhvillon procesin zgjedhor.