“Unë nuk jam kriminel, as këta që janë dhunuar”/ 16-vjeçari heq maskën në protestë: Rrezikoj jetën për t’u rrahur nga policët, shokët janë mbajtur më shumë seç duhet në rajon

“Jam 16 vjeç, rrezikoj jetën ditë për ditë për t’u rrahur nga policët dhe për t’u arrestuar, vetëm për të dalë në protestë për të hequr Ramën”, kështu është shprehur një gjimnazist gjatë protestës në Tiranë, duke folur për arrestimin dhe dhunën që, sipas tij, kanë përjetuar disa prej bashkëmoshatarëve të tij.

Ai u bëri thirrje autoriteteve që të lejojnë protestat dhe kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se pjesëmarrja e tij në protestë lidhet me shqetësimin për të ardhmen e tij dhe popullit.

Gjithashtu tregoi se shokët e tij janë arrestuar dhe janë mbajtur në komisariat shumë gjatë në kohë.

“Më mbushen sytë me lot, kur kujtoj jo vetëm unë, por të gjithë ata që janë rrahur dhe janë arrestuar, kanë nëna në shtëpi që i presin. Unë nuk jam kriminel, as këta që janë rrahur. Janë të rinj që kërkojnë të drejtat tona. Për një të ardhme sa më të mirë për popullin tonë. Na lejoni të protestojmë, hiqeni Ramën, ju lutem. Mundohuni, hiqni kapelen, do të bashkohen me ju. Unë jam gjimnazist, po kërkoj për të ardhmen time, dua një të ardhme sa më të mirë.

Jam 16 vjeç, rrezikoj jetën ditë për ditë për t’u rrahur nga policët dhe për t’u arrestuar, vetëm për të dalë në protestë për të hequr Ramën. Nuk dua të jem më në këtë vend, nuk dua të ikë më njeri nga ky vend për fajin e Edi Ramës. Nuk kanë faj të rinjtë që largohen nga Shqipëria. Do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm proteste, nuk duam të na rrahin, ne nuk jemi të tillë që të mos tregohemi agresivë. Kemi bërë 5 muaj protestë paqësore, nuk i mjaftonte, nuk jep njeri dorëheqjen.

Unë nuk jam dhunuar, janë dhunuar shokët e mi, janë arrestuar. Janë mbajtur më shumë se ç’duhet në rajon, janë pyetur më shumë se ç’duhet, janë thjesht minorenë. Prindërit nuk ishin dakord për të dalë në protestë, por i binda që dua të dal për të ardhmen time”, tha gjimnazisti.