Trump i gatshëm të takohet me Putinin dhe Xi Jinpingun në Kinë, godet sërish Zelenskyn

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se është i gatshëm të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe liderin kinez, Xi Jinping, në Kinë muajin e ardhshëm. Ndërkohë, ai ka përsëritur kritikat ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke thënë se është koha që dikush tjetër të negociojë në emër të Ukrainës.

Trump konfirmoi të hënën se do të ishte i gatshëm të ulej në një tryezë me dy liderët, në një takim të mundshëm në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), i cili do të mbahet më 18 dhe 19 nëntor në qytetin kinez Shenzhen, shkruan Euornews, transmeton “Bota sot”.

Sipas presidentit amerikan, tema kryesore e një takimi të tillë do të ishte çarmatimi bërthamor, por diskutimet mund të përfshijnë edhe luftën në Ukrainë.

I pyetur nga gazetarët nëse do të takohej me Putinin dhe Xi Jinpingun për të diskutuar konfliktin në Ukrainë, Trump tha se kjo nuk do të ishte arsyeja kryesore e takimit.

Ai shtoi se takimi do të shërbente kryesisht për të diskutuar armët bërthamore dhe çarmatimin.

Megjithatë, i pyetur nëse çështja e Ukrainës do të shtrohej gjatë bisedimeve me dy liderët, presidenti amerikan u përgjigj se do të bënte gjithçka që ishte e mundur për t’i dhënë fund luftës.

Moska konfirmon diskutimet, Pekini thotë se nuk ka informacione

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi më herët se mundësia e një takimi të tillë ishte përmendur, duke pasur parasysh se të tre liderët mund të marrin pjesë në samitin në Kinë.

Megjithatë, ai theksoi se deri më tani nuk janë paraqitur apo diskutuar propozime konkrete dhe as marrëveshje për organizimin e takimit ose për agjendën e tij.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, deklaroi se nuk kishte informacione për një takim të mundshëm mes Trumpit, Putinit dhe Xi Jinpingut.

Samiti i APEC-ut do të mbahet më 18 dhe 19 nëntor në Shenzhen, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues të ekonomive anëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kinën dhe Rusinë.