Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) ka bërë të ditur se vendimi përfundimtar mbi apelin e Senegalit kundër dhënies së titullit të Kupës së Afrikës Marokut pritet të shpallet brenda muajit nëntor.
Senegalezët kanë kundërshtuar vendimin që u hoqi fitoren 1-0 në finalen e zhvilluar në janar dhe e shndërroi atë në një humbje 3-0 në tavolinë, në favor të Marokut.
Finalja u shoqërua me polemika të mëdha pas akordimit të një penalltie për marokenët. Në shenjë proteste ndaj vendimit të arbitrit, lojtarët e Senegalit u larguan nga fusha, por ndeshja rifilloi më pas. Maroku nuk arriti të shfrytëzonte mundësinë nga pika e bardhë, ndërsa Senegali triumfoi në përfundim të kohës shtesë.
Megjithatë, zhvillimet e mëvonshme sollën një përmbysje të papritur jashtë fushës së lojës. Titulli iu dha Marokut në tavolinë, një vendim që Senegali e kundërshtoi duke iu drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv.
CAS zhvilloi seancën dëgjimore më 8 tetor dhe tashmë po përgatit vendimin përfundimtar për këtë çështje të shumëpërfolur. Vendimi pritet të publikohet gjatë muajit nëntor dhe do të shoqërohet me një arsyetim të detajuar juridik.
Tashmë, e gjithë vëmendja është përqendruar tek CAS, e cila do të përcaktojë nëse titulli i Kupës së Afrikës do të mbetet në duart e Marokut apo do t’i rikthehet Senegalit, fituesit në fushën e lojës.


