Toshkovski dhe Ruf diskutojnë forcimin e bashkëpunimit policor

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, zhvilloi një takim pune me drejtorin e përgjithshëm për Siguri Publike të Republikës së Austrisë, Franc Ruf, me ç’rast u konfirmua bashkëpunimi i shkëlqyer dypalësh dhe përkushtimi i përbashkët për avancimin e mëtejshëm të tij, veçanërisht në përballjen me sfidat bashkëkohore të sigurisë.

Në takim, siç njoftoi Toshkovski në rrjetet sociale u diskutua për luftën kundër krimit të organizuar dhe ndërkufitar, migracionit të paligjshëm, kontrabandimit të migrantëve, trafikimit me njerëz, terrorizmit dhe krimit kibernetik, me theks të veçantë në shkëmbimin në kohë të informacioneve operative, veprimin e koordinuar dhe forcimin e kapaciteteve të shërbimeve policore.

Ministri Toshkovski theksoi rëndësinë e partneritetit me Austrinë, si një partner i rëndësishëm dhe i besueshëm i Maqedonisë në përballjen me sfidat e sigurisë që tejkalojnë kufijtë kombëtarë.

Me këtë rast, u theksua nevoja për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit përmes aktiviteteve konkrete, shkëmbimit të përvojave dhe avancimit të kapaciteteve operative të policisë së Maqedonisë.

Bashkëbiseduesit iu referuan edhe bashkëpunimit të deritanishëm në kuadër të nismave dhe projekteve të përbashkëta evropiane, të orientuara drejt forcimit të sundimit të ligjit, avancimit të kapaciteteve hetimore, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe përmirësimit të mekanizmave institucionalë për menaxhimin e migracionit dhe sigurinë kufitare. Gjithashtu, u theksua rëndësia e trajnimeve të përbashkëta, mbështetjes eksperte dhe shkëmbimit të praktikave të mira policore.

Në përfundim të takimit, u shpreh kënaqësi e ndërsjellë për partneritetin e deritanishëm dhe gatishmëria për vazhdimin e bashkëpunimit intensiv ndërmjet dy vendeve, me qëllim të përbashkët – përballjen më efikase me kërcënimet e sigurisë dhe garantimin e sigurisë më të madhe për qytetarët.