Spektakël me katër gola në ‘Der Klassiker’, Bayerni dhe Dortmundi ndajnë pikët

Bayerni i Mynihut dhe Borussia e Dortmundit dhuruan një përballje spektakolare në “Der Klassiker”, që përfundoi në barazim 2-2. Të dyja skuadrat luftuan deri në fund për fitoren, në një ndeshje me shumë raste, gola dhe emocione.

Takimi u zhbllokua në minutën e 34-t, kur Laimer dërgoi topin në rrjetë dhe kaloi Bayernin në avantazh. Pak më herët, Bellingham kishte shënuar për Dortmundin, por goli u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it.

Në pjesën e dytë, bavarezët patën mundësinë ideale për të dyfishuar rezultatin, por Harry Kane shpërdoroi një penallti në minutën e 56-të. Vetëm katër minuta më vonë, Guirassy përfitoi nga rasti dhe riktheu baraspeshën për Dortmundin.

Bayern reagoi dhe në minutën e 66-të gjeti sërish avantazhin me Upamecanon, dukej se goli i tij mund t’i siguronte fitoren skuadrës vendase. Megjithatë, Borussia Dortmund nuk u dorëzua dhe arriti të barazonte në minutën e 89-të me Silva-n, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2-2.

Kështu, dy rivalët e mëdhenj të futbollit gjerman ndanë nga një pikë pas një sfide që mbajti emocionet deri në sekondat e fundit.