Shtetet e Bashkuara kanë miratuar shitjen e 500 raketave interceptuese Patriot PAC-3 për Ukrainën, në një marrëveshje me vlerë 2.1 miliardë dollarë. Municionet janë thelbësore për forcimin e mbrojtjes ajrore të Kievit ndaj sulmeve gjithnjë e më intensive ruse.
Megjithatë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se dërgesat mund të kërkojnë “disa vite” për të mbërritur, duke përsëritur thirrjen ndaj Uashingtonit për përshpejtimin e furnizimit me këto sisteme mbrojtëse.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, blerja do të financohet tërësisht nga aleatët evropianë të Ukrainës dhe Kanadaja, përmes kontributeve financiare dhe programeve mbështetëse. Në deklaratë theksohet se në këtë marrëveshje nuk do të përdoren fonde amerikane, ndërsa kontraktori kryesor do të jetë kompania Lockheed Martin.
Raketat PAC-3 konsiderohen ndër armët më efektive për interceptimin e raketave balistike ruse, të cilat kanë qenë pjesë e sulmeve të vazhdueshme ndaj qyteteve dhe infrastrukturës ukrainase.
Miratimi i shitjes vjen në një moment tensionesh mes Kievit dhe Uashingtonit, pas përplasjeve të fundit mes Zelenskyt dhe presidentit amerikan Donald Trump lidhur me mënyrën e përfundimit të luftës me Rusinë. Marrëdhëniet u përmirësuan pas bisedimeve që presidenti ukrainas zhvilloi me përfaqësuesit amerikanë në Oslo.


