SHBA largon diplomatët nga Riadi: Tërheq një pjesë të stafit të ambasadores pas rritjes së kërcënimeve në Arabinë Saudite

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë urdhëruar largimin e një pjese të personelit diplomatik dhe familjarëve të tyre nga Arabia Saudite, mes shqetësimeve për përshkallëzimin e situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme.

Shqetësimet janë shtuar pas paralajmërimit të ambasadës amerikane në Riad për sulme të mundshme nga rebelët Huthi, të cilët kanë goditur më parë aeroporte dhe infrastrukturë kritike në rajon. Departamenti Amerikan i Shtetit paralajmëroi se armiqësitë mund të përshkallëzohen me shpejtësi, duke mos përjashtuar masa të tjera për mbrojtjen e personelit diplomatik.

Përshkallëzimi lidhet me konfliktin në Jemen, ku forcat qeveritare, të mbështetura nga Arabia Saudite, kanë ndërmarrë ofensiva kundër zonave të kontrolluara nga Huthit, të cilët mbështeten nga Irani. Në përgjigje, grupi ka lëshuar raketa dhe dronë drejt objektivave në territorin saudit, përfshirë aeroporte dhe objekte energjetike, shkruan abcnews.al.