Vjedhjet në banesa në Zvicër janë rritur gjatë viteve të fundit, ndërsa dëmet financiare kanë shënuar rritje të ndjeshme.
Sipas një analize të kompanisë së sigurimeve AXA, të publikuar nga mediumi zviceran Watson, në vitin 2025 rastet u rritën me 4% krahasuar me vitin 2024 dhe me 15% në raport me vitin 2022.
Rreziku i vjedhjeve është më i lartë gjatë muajve të dimrit, kur errësohet më herët. Nga tetori deri në mars regjistrohen rreth 45% më shumë raste sesa gjatë gjysmës së ngrohtë të vitit, ndërsa dhjetori është muaji me më së shumti vjedhje.
Sipas të dhënave për periudhën 2019–2025, Gjeneva renditet e para për nga rreziku, me 8.4 vjedhje për 1.000 ekonomi familjare në vit, më shumë se dyfishi i mesatares kombëtare prej 3.3 rastesh.
Ndër kantonet e tjera të prekura janë Vaud, Basel-Stadt, Basel-Landschaft, Jura, Solothurn dhe Neuchâtel. Rreziku më i ulët është regjistruar në Uri dhe Graubünden, transmeton Telegrafi.
Ndërkohë, edhe dëmet financiare janë rritur. Në vitin 2025, dëmi mesatar për një vjedhje kaloi 7.000 franga, rreth 30% më shumë se në vitin 2022.
Sipas AXA-s, kjo lidhet me vlerën më të lartë të sendeve të vjedhura dhe shtimin e rasteve me dëme të mëdha.


