Raportuesja speciale e OKB-së për Palestinën, Francesca Albanese, të premten tha se shpreson që italianët të kundërshtojnë projektligjin shumë të diskutueshëm për antisemitizmin në Itali, transmeton Anadolu.
“Përse duhet mësuar kultura izraelite në Itali?”, shkroi Albanese në platformën amerikane të mediave sociale X, duke iu referuar projektligjit për antisemitizmin që po shqyrtohet në parlament.
Ajo tha se projektligji është “pjesë e izraelizimit të shoqërisë që elita në qeveri (dhe një pjesë e opozitës) e mbështet”.
“Shpresoj që populli italian ta kundërshtojë këtë turp të paralajmëruar. Historia jemi ne”, shtoi Albanese.
Projektligji, i njohur si DDL 1004, është paraqitur nga partia e krahut të djathtë Liga, partnere e vogël në qeverinë e koalicionit të krahut të djathtë të kryeministres Giorgia Meloni.
Projektligji parashikon përdorimin e kritereve të miratuara nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (IHRA) për përcaktimin e antisemitizmit. Pasi është miratuar nga Senati në mars, projektligji ndodhet për miratim përfundimtar në Dhomën e Deputetëve.
Qindra persona protestuan të enjten në Milano kundër projektligjit, duke mbajtur pankarta me mbishkrime si “Jo projektligjit për antisemitizmin”, “Kritikimi i Izraelit nuk është antisemitizëm” dhe “Protesta është e drejtë”, ndërsa brohoritën “Liri për Palestinën”.


