EBA-ja: Bashkëpiloti tentoi “akt terrorist” në incidentin e Flydubait

Hetimi i Emirateve të Bashkuara Arabe për incidentin e dhunshëm në një avion të kompanisë Flydubai në fillim të kësaj jave ka zbuluar se bashkëpiloti ka tentuar të kryejë “akt terrorist”, duke sulmuar kapitenin me sëpatë emergjence, tha zyrtari më i lartë i zbatimit të ligjit në vend, transmeton Anadolu.

 

Bashkëpiloti i përfshirë në incidentin e së mërkurës ka tentuar të përdorë sëpatën – mjet që mbahet në kabinën e pilotimit për raste emergjencash – për të sulmuar kapitenin dhe për të marrë kontrollin e avionit, tha Prokurori i Përgjithshëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Hamad Saif al-Shamsi, në një deklaratë të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve WAM.

 

Hetimi në vazhdim do të “zbardhë të gjitha rrethanat e incidentit, motivet e tij dhe lidhjet”, tha al-Shamsi.

 

Ai shtoi se konkluzionet përfundimtare do të bëhen publike pasi të përfundojnë procedurat e nevojshme.

 

Fluturimi FZ1073 i Flydubait, me 174 pasagjerë nga Dubai drejt Tel Avivit, mori leje të mërkurën për të kryer ulje emergjente në Aeroportin Ndërkombëtar Princi Sulltan bin Abdulaziz në Tabuk të Arabisë Saudite.

 

Flydubai kishte njoftuar më herët se “në kabinën e pilotimit ka ndodhur një përleshje” dhe se anëtarët e ekuipazhit e kishin vënë situatën nën kontroll përpara se avioni të devijohej në mënyrë të sigurt drejt Arabisë Saudite.