Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka përsëritur për të katërtën ditë radhazi ftesën për dialogme protestuesit, duke shprehur gatishmërinë për t’u takuar me ta në çdo vend dhe në çdo orë. Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Rama theksoi se dialogu dhe shkëmbimi i pikëpamjeve janë rruga për të çuar përpara vendin, pavarësisht kundërshtive. Megjithatë, ai paralajmëroi se personat që, sipas tij, kanë marrë peng kryeqytetin dhe kanë përdorur protestën e studentëve për qëllime të tjera, do të përballen me përgjegjësi ligjore dhe penale.
Kryeministri u shpreh gjithashtu se protestat nuk do të ndryshojnë rrugën evropiane të Shqipërisë, ndërsa studentët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e tij.
Kundërshtia e dhunshme, kundërshtia me forcë, kundërshtia që bie ndesh me fillin e arsyes, nuk i imponohet dot domosdoshmërisht për dialog, ballafaqim pikëpamjesh sado të kundërta dhe për bashkëjetesë demokratike në një vend ku e kaluara nuk ka asnjë shans që të kthehet.
Rruga e Shqipërisë nuk ndryshon. Shqipëria do të vazhdojë drejt dhe do ta çojë në majën e ëndërruar flamurin e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut dhe do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Dhe nuk e pengojnë dot forcat që janë përfshirë në këtë zullum të madh”, tha Rama.


