Raketat nga Serbia, armatosja që po tremb rajonin! Eurodeputeti kërkon ndërhyrjen urgjente

Në një lidhje live për Euronews Albania, eurodeputeti kroat Davor Ivo Stier, i pyetur nga gazetarja Esmeralda Mulaj nëse armatosja e Serbisë dhe bashkëpunimi i saj me Rusinë dhe Kinën përbëjnë shqetësim për Europën dhe Kroacinë, u përgjigj se fokusi i alarmit nuk është thjesht riarmatimi, por blerja e armëve ofensive.

Ai theksoi se Parlamenti Europian ka qenë kritiku më i ashpër ndaj regjimit në Beograd dhe i ka kërkuar Komisionit Europian të ndryshojë qasjen dhe të ndalë fondet, pasi politikat e deritanishme kanë dhënë vetëm rezultate negative.

“Shqetësimi ynë nuk ka të bëjë vetëm me riarmatimin, por edhe me prokurimin e armëve ofensive, për shembull si raketat balistike që janë blerë nga Kina. Çështja është, përse i duhen këto armatime ofensive? Të cilën ne e kemi vënë në dukje përmes një rezolute të Parlamentit Evropian mbi Serbinë.

Ne kemi konstatuar se regjimi serb nuk po ecën aspak në drejtim të vlerave evropiane dhe, sidomos pas sulmit të Banjskës, Parlamenti Evropian ka qenë shumë kritik edhe sa i takon reagimeve të institucioneve të tjera, përfshirë Komisionin Evropian, të cilit ne i kemi bërë thirrje që të aplikojë politikat e duhura që tregojnë se vendi nuk po implementon reformat dhe nuk meriton më fonde.

Sigurisht që është një deklaratë shqetësuese. Në vend që t’i vinte veshin mesazheve që vijnë nga institucionet evropiane dhe sidomos nga Parlamenti Evropian, ajo që kemi parë deri tani me Beogradin është se vazhdon me politikat e tij. Vetëm ditën e djeshme, për shembull, Ministria e Jashtme e Serbisë shpërndau një notë verbale proteste kundër lirisë së medias në Kroaci.

Kjo është një ndërhyrje e pastër në çështjet e brendshme të një vendi, por vjen në një kohë kur Serbia ndodhet në prag të zgjedhjeve. Kjo nuk është mënyra e duhur për të ecur përpara dhe mendoj se Serbisë i duhet bërë e qartë se me këto politika të brendshme Serbia nuk po ecën drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh eurodeputeti.