Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka dalë në mbrojtje të ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, i cili po përballet me proces gjyqësor në rastin “Lotaria”. Duke komentuar festën e organizuar pas daljes së Grubit nga arresti shtëpiak, Mickoski deklaroi se ai nuk ishte organizatori i asaj ngjarjeje dhe se kishte kërkuar falje për reagimet e shkaktuara informon Tetovasot.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Mickoski tha se kishte lexuar reagimin e mbrojtjes së Grubit, ku thuhej se ish-zëvendëskryeministri dhe familja e tij u kishin kërkuar falje qytetarëve nëse festimi kishte shkaktuar shqetësim ose pakënaqësi.
“Ata nuk janë organizatorë dhe nuk kanë pasur qëllim të organizojnë një sjellje të tillë të ekzaltuar të individëve. Besoj se kjo është pjesë e karakterit të disa personave që mendojnë se me një spektakël të tillë i ndihmojnë bashkëpartiakët e tyre, por mendoj se gabohen. Përkundrazi, ua vështirësojnë pozitën”, deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se Artan Grubi nuk është një qytetar plotësisht i lirë, pasi ende nuk i është kthyer pasaporta dhe nuk mund të largohet as nga qyteti e as nga shteti.
Sipas Mickoskit, pas skadimit të afatit ligjor prej 60 ditësh të arrestit shtëpiak, gjykata ishte e detyruar ta ndërpriste këtë masë dhe ta zëvendësonte me masa të tjera sigurie, ndër to edhe konfiskimin e dokumentit të udhëtimit.
Ndryshe, mbrojtja e Grubit një ditë më parë kërkoi falje për festën, duke theksuar se tubimi para shtëpisë së tij në Çair kishte qenë spontan dhe jo i organizuar.
Artan Grubi u lirua nga arresti shtëpiak të martën në mbrëmje, ndërsa Gjykata refuzoi kërkesën e tij që pasaporta t’i kthehej kundrejt një garancie prej mbi 300 mijë eurosh.


