Pjesëmarrja në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi arriti në 19,8 për qind deri në orën 10:00, sipas misionit vëzhgues CRTA – më shumë se dyfishi krahasuar me të njëjtën orë në zgjedhjet e vitit 2023, kur ishte 9,8 për qind. Votimi këtë të diel, më 25 tetor, po zhvillohet me radhë të gjata para vendvotimeve dhe raportime të vëzhguesve për parregullsi, shkruan REL.
Në këto zgjedhje, të tretat parlamentare në pesë vjetët e fundit, një lëvizje studentore e dalë nga një nismë qytetare po synon t’i japë fund pushtetit 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit dhe Partisë Përparimtare Serbe (SNS).
Sipas CRTA-s, vendvotimet në mbarë Serbinë u hapën kryesisht në kohë. Ndërkohë, Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID) njoftoi se deri në orën 09:00 janë raportuar më shumë se 70 parregullsi gjatë votimit.
Sipas kësaj organizate, janë evidentuar raste të fotografimit të fletëvotimeve, përdorimit të telefonave, votimit jashtë kabinave dhe votimit familjar, përfshirë një raportim se një votues ka votuar në emër të një personi tjetër.
Janë raportuar gjithashtu përplasje mes anëtarëve të këshillave të vendvotimeve, ndërprerje të përkohshme të votimit, incidente dhe kërcënime ndaj votuesve, si dhe probleme me materialin zgjedhor dhe verifikimin e votuesve.
“Veçanërisht shqetësues është pengimi i qasjes së vëzhguesve. Në disa vendvotime, vëzhguesve nuk u është lejuar qasja, ndaj duhet të kontaktojmë autoritetet përgjegjëse dhe të ndërhyjmë që ata të mund ta kryejnë punën e tyre”, tha CeSID-i.
Edhe CRTA raportoi se vëzhguesit e saj fillimisht nuk u lejuan të hynin në disa vendvotime në pjesë të ndryshme të Serbisë, por shtoi se këto raste u zgjidhën pas ndërhyrjes së Komisionit Republikan të Zgjedhjeve. Sipas këtij misioni, në të gjitha vendvotimet, thasët me materialin zgjedhor ishin mbyllur sipas rregullave, me vula sigurie.
Vendvotimet janë të hapura nga ora 07:00 deri në orën 20:00, ndërsa të drejtë vote kanë 6.450.523 qytetarë. Votimi po zhvillohet në 8.392 vendvotime, prej të cilave 93 ndodhen jashtë vendit.
Vuçiq dha dorëheqje nga posti i presidentit në fund të shtatorit. Meqë nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë, ai tani synon të bëhet kryeministër, post që e mbajti nga viti 2014 deri kur u zgjodh president, më 2017.
Megjithatë, fushata zgjedhore është shoqëruar me shqetësime gjithnjë e më të mëdha se mund të ketë manipulime zgjedhore.
Zgjedhjet po ndiqen nga afër nga Bashkimi Evropian, i cili e ka kritikuar Serbinë për prapakthim në demokraci nën udhëheqjen e Vuçiqit.
Rezultat i pasigurt
Në një klimë përçarjesh të thella dhe tensionesh shoqërore, Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Vuçiqit synon ta ruajë pushtetin pas dy vjetësh protestash masive kundër Qeverisë dhe korrupsionit në mbarë vendin.
Por, për herë të parë në shumë vjet, ajo përballet me një sfidues të vërtetë: Listën Studentore, një lëvizje e dalë nga këto protesta.
“Këto janë zgjedhjet e para në më shumë se një dekadë, rezultati i të cilave është vërtet shumë i pasigurt”, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) Vladimir Bilçik, ish-raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë.
Sondazhet e deritanishme tregojnë se elektorati në Serbi është kryesisht i ndarë mes atyre që mbështesin një koalicion të gjerë të ndërtuar rreth partisë në pushtet dhe atyre që përkrahin lëvizjen studentore.


