PSG-Barcelona, sfida e miliardave dhe…e Topit të Artë

Mbrëmja e sotme e Ligës së Kampioneve ka rezervuar superpërballjen mes Paris Saint Germainit dhe Barcelonës, një sfidë kjo që mund të konsiderohet edhe ndeshja për Topin e Artë.

Në Parkun e Princave do të vihen përballë dy skuadra që në total kanë 17 futbollistë në garë për trofeun më të lakmuar individual; nga njëra anë janë Dembélé, Kvaratskhelia, Vitinha, Nuno Mendes, Achraf Hakimi, Marquinhos, Pacho, João Neves, Fabián dhe Ferran Torres, ndërsa në krahun tjetër përfaqësohet nga Lamine Yamal, Rodri dhe Cubarsi, me këtë të fundit që është pretendent për Trofeun Kopa si futbollisti i ri më i mirë, një trofe që në dy vitet e fundit është fituar nga Lamine Yamal. Edhe Zaire Emery është në garë për çmimin e lojtarit të ri më të mirë.

Po kështu, dy portierët Joan Garcia dhe Matvei Safonov do të jenë në mbrëmjen gala të 26 tetorit teksa janë në garë për trofeun Lev Yashin si portieri më i mirë. Edhe trajneri i Paris Saint Germain, Luis Enrique është në garë për çmimin e Trajnerit më të mirë, ndryshe nga Hansi Flick që mungon në listën e finalistëve ku spikasin edhe emrat e Luis de la Fuente, Unai Emery, Mikel Arteta dhe Vincent Kompany

Por sfida mes Paris Saint Germainit dhe Barcelonës është edhe ajo e yjeve, spektaklit futbollistik dhe…miliardave. Sipas Transfermark vlera e totale e futbollistëve të të dyja skuadrave arrin deri në 2 miliardë e 660 milionë euro. Te Paris Saint Germaini janë 5 futbollistë vlera e të cilëve e kalon kufirin e 100 milionë eurove; Vitinha (140 milionë), João Neves (140 milionë), Kvaratskhelia (140 milionë), Doué (120 milionë) dhe Dembélé (100 milionë). Më pas vijnë ata me 80 milionë eurove; Pacho, Nuno Mendes, Achraf dhe Zaire-Emery.

Ndërsa Barcelona ka në radhët e saj futbollistin më të kushtueshëm në botë; Lamine Yamal që vlerësohet 220 milionë. Edhe tre futbollistë të tjerë kanë një vlerë prej të paktën 100 milionë euro; Pedri (150 milionë), Fermín (110 milionë) dhe Cubarsí (100 milionë). Gordon kap një vlerë 80 milionë euro dhe Raphinha 70 milionë.

Për vlerën e futbollistëve, për shpirtin kolektiv dhe për mentalitetin e trajnerëve është e pamundur të mos imagjinosh një ndeshje spektakolare që mund të mbetet në kujtesë edhe pse është një ndeshje e Fazës së Ligës.