Pse u vërshëllye Cucurella në të gjithë ‘Bernabeun’? Gjermanët nuk e kanë harruar Europianin

Marc Cucurella u prit me vërshëllima të forta nga tifozët gjermanë gjatë ndeshjes Real Madrid–Leipzig, e fituar 4-1 nga madrilenët në Champions League. Shkak është një episod i Europianit 2024, që vazhdon të shkaktojë zemërim në Gjermani.

Sipas gazetës spanjolle “Marca”, qindra tifozë gjermanë, përtej grupit prej rreth 2 mijë personash të parashikuar në sektorin mik, kishin siguruar bileta në pjesë të ndryshme të stadiumit. Kjo bëri që vërshëllimat ndaj mbrojtësit spanjoll të dëgjoheshin nga shumë sektorë të “Santiago Bernabeut”.

Gjermanët nuk e kanë harruar çerekfinalen e Euro 2024, kur një goditje e Jamal Musialës preku dorën e Cucurella-s në zonë. Arbitri dhe VAR-i nuk akorduan penallti, ndërsa Spanja fitoi ndeshjen pas kohës shtesë dhe eliminoi Gjermaninë, vendin organizator. Më vonë, UEFA pranoi se episodi duhej të ishte ndëshkuar me penallti.

Cucurella u aktivizua në minutën e 70-të dhe sa herë prekte topin, nga tribunat dëgjoheshin vërshëllima. Megjithatë, tifozët e Real Madridit nuk qëndruan indiferentë: ata nisën ta duartrokisnin sa herë që merrte topin, në përpjekje për të neutralizuar atmosferën armiqësore ndaj mbrojtësit spanjoll.