Pasagjerët në një fluturim të “LATAM Airlines” përjetuan momente frike, pasi avioni me të cilin po udhëtonin u godit nga rrufeja në mes të një stuhie të fortë, gjatë udhëtimit nga Antofagasta drejt Santiagos, në Kili.
Pamjet e regjistruara nga një pasagjer brenda kabinës tregojnë momentin kur një shkëndijë e fortë dhe verbuese ndriçon papritur pjesën e brendshme të avionit. Në të njëjtën kohë, dëgjohet edhe një zhurmë e fuqishme, duke shkaktuar shqetësim mes udhëtarëve, teksa avioni po i afrohej fazës së uljes.
Megjithatë, pavarësisht momentit të frikshëm, incidenti përfundoi pa pasoja për udhëtarët. Avioni u ul në mënyrë të sigurt në aeroportin e Santiagos dhe, sipas informacionit të publikuar, nuk pati persona të lënduar.


